Një udhëtim katërshekullor në historinë dhe arkitekturën e Shqipërisë, nëpërmjet studimit të objekteve të kultit. “Xhamitë e Shqipërisë - historia dhe arkitektura e shekujve 15-19”, studimi i thelluar i arkitektit, studiuesit të monumenteve fetare dhe ish-kryeministër i Shqipërisë, Aleksandër Meksi, është përkthyer në gjuhën turke.
Libri i botuar për herë të parë në vitin 2017 dhe pasuruar me të dhëna e ilustrime 2 vjet më pas është tashmë gati për lexuesin turk, si një dritare e re që i lejon të njohë më mirë historinë, arkitekturën dhe botëkuptimin estetik të xhamive në Shqipëri përgjatë 4 shekujve.
Për ambasadorin turk, libri është një urë e re në miqësinë mes dy popujve.
Shpreh bindjen se libra të tillë janë të rëndësishëm për njohjen sa më mirë të së shkuarës sonë të përbashkët. Në këtë mënyrë ne do të kemi një vështrim shumë e konstruktiv mbi të kaluarën tonë të përbashkët.
Ndërtimet e kultit mysliman me shumëllojshmërinë e tyre zënë një vend të rëndësishëm në tërësinë e arkitekturës së mesjetës së vonë, shekujt 15-19, për Shqipërinë. Studimi është një analizë e thelluar e ndërtimeve të kohës, nivelit dhe shtrirjes së tyre, por edhe një vëzhgim i detajuar i tyre si dëshmi e dukurive historike në katër shekuj.
Botimi në turqisht i “Xhamive të Shqipërisë” pritet të pasohet edhe nga ai në anglisht, me mbështetjen e Dhomës së Tregtisë së Stambollit.



