Ministria e Financave të Kosovës bën me dije se sot ka nisur në Portin e Durrësit zhdoganimi i mallrave që kanë destinacion Kosovën. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, kanë vizituar të martën, zyrat e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit.
“Vizita është bërë me rastin e fillimit të zhdoganimit të plotë në portet e Durrësit për mallrat me destinacion Republikën e Kosovës. Zhdoganimi i mallrave në portet e Durrësit i mundëson ekonomisë së Kosovës që praktikisht të ketë qasje në det, duke lehtësuar kështu depërtimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Murati tha se me modalitetet e tanishme të funksionimit të zhdoganimit në Portet e Durrësit, do të ulen kostot për bizneset dhe konsumatorët në rreth 2 milionë euro.



