45 organizata firmosin deklaratën: Të drejtat themelore në Shqipëri nën kërcënim serioz

45 organizata firmosin deklaratën: Të drejtat themelore në Shqipëri nën kërcënim serioz

Një koalicion prej 45 organizatash shqiptare, rajonale dhe ndërkombëtare kanë firmuar një deklaratë të përbashkët, ku shprehin shqetësimin e thellë për kërcënimet në rritje ndaj të drejtave themelore dhe lirive qytetare në Shqipëri. 

 

Organizatat dënojnë si dhunën, zjarrvëniet dhe dëmtimin e pronës publike nga individë të caktuar, ashtu edhe përdorimin joproporcionale të forcës, ndalimet arbitrare dhe ndëshkimin kolektiv nga ana e autoriteteve gjatë protestave.

 

Nënshkruesit kërkojnë hetime urgjente, të pavarura dhe të paanshme për të gjitha rastet e dhunës.

 

 Ato i bëjnë thirrje shtetit shqiptar të respektojë të drejtën e tubimit paqësor, të ndalojë fushatat denigruese ndaj kritikëve dhe të garantojë lirinë e shprehjes pa pasur frikë nga hakmarrja institucionale.

 

DEKLARATË E PËRBASHKËT TIRANË, 22 TETOR 2026 

Shqipëri: Të drejtat themelore dhe liritë qytetare nën kërcënim serioz 

Kërkohet llogaridhënie dhe veprim urgjent Mbështetur nga 45 organizata shqiptare, rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare 

 

Ne, organizatat nënshkruese, shprehim shqetësimin tonë të thellë për kërcënimet në rritje ndaj të drejtave themelore dhe lirive qytetare në Shqipëri, në kontekstin e protestave të udhëhequra nga studentët që nisën më 13 tetor 2026. 

 

Incidentet e dokumentuara dhe pretendimet serioze për përdorim të tepruar të forcës nga policia, keqtrajtim, ndalime arbitrare dhe shkelje të të drejtave të fëmijëve, krahas sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias dhe retorikës kërcënuese nga nivelet më të larta të qeverisjes, kërkojnë hetime urgjente e të pavarura, si dhe llogaridhënie institucionale efektive. 

Dënojmë gjithashtu sulmet ndaj punonjësve të policisë, zjarrvëniet dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave, të cilat kanë rrezikuar jetë, kanë shkaktuar lëndime dhe kanë dëmtuar komunitetet. 

Akte të tilla duhet të hetohen dhe të trajtohen mbi bazën e përgjegjësisë individuale dhe respektimit të procesit të rregullt ligjor. Dhuna e ushtruar nga individë nuk mund të justifikojë përdorimin pa dallim të forcës, ndalimet arbitrare apo ndëshkimin kolektiv. 

Këto shqetësime shkojnë shumë përtej administrimit të rendit publik. Ato ngrenë pyetje themelore lidhur me detyrimin e shtetit për të mbrojtur jetën dhe integritetin fizik, për të garantuar lirinë personale, për të respektuar të drejtën e tubimit paqësor dhe lirinë e shprehjes, si dhe për të siguruar që çdokush të mund të marrë pjesë në jetën publike pa frikë nga frikësimi, ndëshkimi apo hakmarrja. Protestat e udhëhequra nga studentët nisën me kërkesa lidhur me kushtet në universitete, koston e arsimit të lartë, mbështetjen financiare dhe mundësitë e punësimit për të diplomuarit. 

Ato zhvillohen në sfondin e më shumë se katër muajve mobilizim të vazhdueshëm qytetar, të njohur si Revolucioni i Flamingove. 

Mobilizimi nisi më 31 maj, në lidhje me shqetësimet për zonat e mbrojtura natyrore, pasuritë publike dhe vendimet e kundërshtuara për investime, dhe është zgjeruar për të përfshirë pakënaqësi lidhur me korrupsionin, përqendrimin e pushtetit politik dhe ekonomik, si dhe funksionimin e sistemit politik. 

Kërkesat e shprehura nga qytetarët protestues kanë përfshirë dorëheqjen e Kryeministrit, dhënien fund të dominimit të dy partive kryesore politike, si dhe reforma më të gjera politike, kushtetuese dhe zgjedhore.

 Këto zhvillime duhen kuptuar edhe në kontekstin e presionit në rritje ndaj hapësirës qytetare. Shqetësimet e përsëritura për ndërhyrjet joproporcionale të policisë dhe kufizimet ndaj lirisë së medias, ndalimet e paligjshme dhe ndërhyrjet e policisë ndaj gazetarëve, si dhe fushatat diskredituese ndaj aktorëve që ushtrojnë mbikëqyrje në 1 / 6 interes të publikut, kanë rritur kostot personale, ligjore dhe profesionale të kundërshtimit apo protestës paqësore dhe kontrollit në interes publik. 

Në këtë kontekst, reagimi i institucioneve shtetërore që prej 13 tetorit nuk mund të shihet si një varg incidentesh të izoluara, por kërkon shqyrtim në dritën e shqetësimeve të akumuluara lidhur me veprimet policore, privimin nga liria dhe ndërhyrjet në të drejtat themelore. 

Liria e tubimit paqësor dhe mbrojtja nga përdorimi i tepruar i forcës 

Gjatë ditëve të fundit, ndërhyrjet e policisë ndaj protestuesve, kalimtarëve dhe personave që tashmë ndodheshin nën kontrollin e policisë kanë ngritur shqetësime serioze për mbrojtjen e tubimit paqësor, integritetit fizik dhe dinjitetit njerëzor. 

Res Publica dhe organizatat partnere kanë dokumentuar 32 raste të pretenduara të dhunës policore, ndërsa një vlerësim i pavarur ligjor nga avokatja Dea Nini ka shqyrtuar 91 materiale provuese, duke dokumentuar raste të përsëritura kur punonjës policie kanë goditur, shkelmuar, tërhequr zvarrë apo imobilizuar persona që ndodheshin tashmë në tokë ose që nuk paraqisnin ndonjë kërcënim të dukshëm. 

Lëndimet e rënda, ndërhyrjet e punonjësve me maska apo pa shenja identifikuese dhe shqetësimet për përdorimin e mjeteve të kontrollit të turmave, përfshirë gazin lotsjellës dhe autobotët e ujit, ngrenë pikëpyetje të mëtejshme mbi domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e operacioneve policore. 

Liria personale, kushtet e ndalimit dhe të drejtat e fëmijëve 

Raportimet për shoqërime dhe praktika ndalimi në shkallë të gjerë ngrenë shqetësime serioze për privimin arbitrar nga liria, keqtrajtimin dhe respektimin e garancive procedurale. Dokumentimi i shoqërisë civile evidenton ndërhyrje nga punonjës të paidentifikuar ose me veshje civile, përdorimin e automjeteve pa shenja dalluese dhe arrestime pa iu komunikuar qartë arsyet secilit individ. 

Avokati i Popullit raportoi se kishte kontaktuar 214 persona të privuar nga liria dhe kishte regjistruar pretendime për keqtrajtim ose shenja dëmtimesh në 26 raste në Bllokun e Sigurisë.

 Komiteti Shqiptar i Helsinkit dokumentoi në mënyrë të pavarur mbipopullim të ambienteve, dëmtime të dukshme dhe ankesa të personave të ndaluar lidhur me dhunën policore, kujdesin mjekësor dhe qasjen te avokatët e familjarët. 

Veçanërisht serioze janë gjetjet lidhur me fëmijët, përfshirë pretendimet për dhunë fizike, mbajtje në kushte të papërshtatshme dhe marrje në pyetje pa garancitë e kërkuara. Fëmijët janë bartës të të drejtave dhe gëzojnë lirinë e shprehjes dhe të tubimit paqësor, si dhe mbrojtje të shtuar nga dhuna dhe keqtrajtimi. 

Vetëm pjesëmarrja e tyre në protesta nuk mund të justifikojë ndalimin apo masat ndëshkuese. 

Privimi nga liria duhet të jetë gjithnjë mjeti i fundit, për kohën më të shkurtër të përshtatshme, me qasje në ndihmë juridike, kontakt me familjen, mbështetje të përshtatshme profesionale dhe shqyrtim të pavarur. 2 / 6 Liria e medias dhe siguria e gazetarëve 

Gazetarët dhe punonjësit e medias që mbulojnë protestat përballen në mënyrë të përsëritur me dhunë fizike, frikësim, kërcënime për ndalim, pengim të filmimeve dhe ndërhyrje ndaj pajisjeve, veçanërisht kur dokumentojnë operacionet policore dhe përdorimin e forcës ndaj protestuesve. 

Ekipet mediatike të identifikueshme janë sulmuar, janë ekspozuar ndaj mjeteve të rrezikshme të kontrollit të turmave dhe janë penguar gjatë pyetjeve drejtuar drejtuesve të policisë. 

Rrjeti SafeJournalists ka dokumentuar 34 incidente që përfshijnë gazetarë dhe punonjës të medias që prej 13 tetorit. Nga këto, 31 lidhen me veprime të raportuara të punonjësve të Policisë së Shtetit ose personave që dyshohet se janë punonjës policie, ndërsa tri lidhen me veprime të protestuesve. 

Këto incidente vijojnë një model të dokumentuar që prej korrikut, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura dhe udhëzimeve ekzistuese të policisë për sigurinë. Shqetësimi shkon përtej sigurisë fizike të gazetarëve dhe shtrihet te pengimi i mbikëqyrjes së pavarur të veprimeve policore, e drejta e publikut për informim dhe dështimi i mekanizmave institucionalë për të parandaluar shkeljet e përsëritura. 

Retorika politike, stigmatizimi dhe kërcënimet me sanksione 

Në fjalën e tij të 19 tetorit para drejtuesve të Policisë së Shtetit, Kryeministri Edi Rama i lidhi pjesë të mobilizimit me ekstremizmin, ANTIFA-n, Rusinë, Iranin dhe shërbimet e huaja të inteligjencës, ndërsa bëri komente denigruese ndaj protestuesve të rinj, arsimimit dhe prejardhjes së tyre shoqërore. 

Këto deklarata vijojnë pretendimet e mëparshme për manipulim nga jashtë, pa u paraqitur publikisht prova që të dëshmojnë se aktorë të huaj e kanë organizuar apo drejtuar mobilizimin e brendshëm. 

Veçanërisht shqetësues ishte pohimi i Kryeministrit se individët që qëndrojnë në atë që ai e cilësoi si demonstratë të dhunshme mund të bëhen objekt i ndërhyrjes policore edhe nëse nuk marrin pjesë personalisht në dhunë. 

Ai kërcënoi gjithashtu studentët e akuzuar për sulme ndaj punonjësve të policisë me pasoja administrative dhe arsimore, përfshirë humbjen e arsimit falas, bursave dhe mbështetjes financiare shtetërore; paralajmëroi se familjet e të miturve të përfshirë në shkatërrime mund të përballen me përgjegjësi financiare; dhe deklaroi se mësuesit e akuzuar se kanë nxitur nxënësit të vandalizojnë pronën e shkollave do të përjashtoheshin nga mësimdhënia dhe punësimi tjetër në sektorin publik. 

Këto paralajmërime kërkojnë shqyrtim të kujdesshëm të bazës së tyre ligjore, arsyetimit të individualizuar, proporcionalitetit dhe garancive procedurale. Kritikat e tij ndaj vendimeve gjyqësore dhe akuzat publike ndaj mediave ngrenë shqetësime të mëtejshme për pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e shtypit dhe efektin frenues ndaj mospajtimit demokratik.

 Llogaridhënia institucionale dhe përgjegjësia për të adresuar shqetësimet qytetare

 Pezullimi i disa punonjësve të policisë dhe hetimet e njoftuara përbëjnë hapa fillestarë, por mbeten pikëpyetje nëse po hetohen në mënyrë efektive të gjitha pretendimet e dokumentuara, përfshirë përgjegjësinë e mundshme mbikëqyrëse dhe komanduese. 

Në letrën e hapur të përbashkët të 14 tetorit, organizata shqiptare, rajonale dhe ndërkombëtare kërkuan mbrojtje të menjëhershme, hetime të pavarura, ruajtjen e provave, mbikëqyrje parlamentare dhe raportim publik. 

Këto kërkesa ende nuk kanë marrë një përgjigje gjithëpërfshirëse dhe të individualizuar për secilin rast. 3 / 6 Përgjegjësia për të mbrojtur të drejtat themelore, për të hetuar shkeljet e pretenduara dhe për të garantuar llogaridhënien u takon institucioneve publike dhe nuk mund të kushtëzohet nga dialogu apo sjellja e aktorëve të tjerë. Kjo deklaratë nuk pretendon të përfaqësojë lëvizjen protestuese apo të flasë në emër të saj. 

Ajo pasqyron një angazhim të përbashkët për mbrojtjen e të drejtave themelore, lirive qytetare dhe llogaridhënies institucionale. 

Thirrje urgjente 

U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protesta të përmbahen nga dhuna, frikësimi, zjarrvëniet dhe dëmtimi i pronës publike apo private; njëkohësisht, u kërkojmë autoriteteve të tregojnë përmbajtje, të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të mbrojnë të drejtat themelore dhe liritë qytetare. 

Shprehim solidaritetin tonë me studentët, gazetarët, punonjësit e medias, gazetarët e lirë (freelance), mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe të gjithë ata që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtat e tyre themelore, si dhe me të gjithë personat e prekur nga dhuna, përfshirë të lënduarit dhe ata, mjetet e jetesës së të cilëve janë dëmtuar. 

U bëjmë thirrje:

 1 Qeverisë dhe Kryeministrit të garantojnë tubimin paqësor, të konfirmojnë publikisht se askush nuk do të përballet me masa hakmarrëse për pjesëmarrje të ligjshme qytetare, të shmangin retorikën kërcënuese dhe akuzat kolektive pa prova, si dhe t'u përgjigjen në mënyrë thelbësore shqetësimeve dhe kërkesave të qytetarëve. 

2 Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të zbatojnë menjëherë udhëzime të qarta operacionale që parandalojnë përdorimin e tepruar të forcës, të garantojnë identifikimin dhe llogaridhënien e punonjësve, të mbrojnë fëmijët, gazetarët dhe kalimtarët, si dhe të trajtojnë mangësitë në kushtet e ndalimit, kujdesin mjekësor dhe garancitë procedurale. 

3 Organeve kompetente të prokurorisë të hetojnë me shpejtësi, paanshmëri dhe efektivitet veprat penale të pretenduara, përfshirë dhunën ndaj protestuesve, gazetarëve dhe punonjësve të policisë, veprat e dyshuara të kryera nga personeli policor dhe sulmet ndaj institucioneve e pronës, duke përcaktuar, aty ku ka vend, përgjegjësinë individuale dhe përgjegjësinë e mundshme të zinxhirit komandues. 

4 Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të hetojë shkeljet e pretenduara të punonjësve të policisë, keqtrajtimin, ndalimet e paligjshme dhe pengimin e gazetarëve; të identifikojë punonjësit dhe njësitë e përfshira; të ruajë provat; të shqyrtojë dështimet e mundshme të mbikëqyrjes; dhe t'ia referojë prokurorisë veprat e dyshuara penale.

 5 Kuvendit të Shqipërisë të zhvillojë urgjentisht seanca dëgjimore publike në kuadër të mbikëqyrjes parlamentare me institucionet përgjegjëse, Avokatin e Popullit, monitorues të pavarur të të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të gazetarëve; të shqyrtojë operacionet policore, kushtet e ndalimit, trajtimin e fëmijëve, sanksionet e paralajmëruara dhe reagimin hetimor; si dhe të sigurojë publikimin e gjetjeve dhe ndjekjen e tyre me masa konkrete.

 4 / 6 6 Të gjithë aktorëve politikë, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, të refuzojnë dhunën dhe frikësimin, të shmangin retorikën nxitëse dhe instrumentalizimin politik të protestave, si dhe të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias dhe të drejtën për protestë paqësore. 

Vlerësojmë reagimet e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian, Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, si dhe të OSBE-së, dhe u bëjmë thirrje atyre, së bashku me Këshillin e Evropës dhe partnerët ndërkombëtarë, të sigurojnë hapa konkretë pasues lidhur me shqetësimet e dokumentuara për të drejtat e njeriut, të angazhohen drejtpërdrejt me grupet e prekura dhe monitoruesit e pavarur, si dhe të mbështesin llogaridhënien institucionale, përfshirë në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë në Grupkapitullin 1 – Themelet. 

Mbështesim fuqimisht rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian si një angazhim ndaj vlerave të përbashkëta demokratike, të drejtave themelore dhe standardeve të shtetit të së drejtës, të cilat duhet të respektohen në praktikë. 

Organizatat nënshkruese 45 organizata 1. Balkan Civil Society Development Network (BCSDN) – Maqedoni e Veriut 2. Centre for European Volunteering (CEV) – Belgjikë 3. Centre for Law and Democracy (CLD) – Kanada 4. Cooperation for the Development of Emerging Countries (COSPE) – Itali 5. European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF) – Gjermani 6. European Council on Refugees and Exiles (ECRE) – Belgjikë 7. European Federation of Journalists (EFJ) – Belgjikë 8. Free Press for Eastern Europe (FPEE) – Çeki 9. Free Press Unlimited (FPU) – Holandë 10. International Federation of Journalists (IFJ) – Belgjikë 11. Observatory Balkans Caucasus Transeuropa (OBCT) – Itali 12. Reporters Without Borders (RSF) – Francë 13. SafeJournalists Network (SJN) – Ballkani Perëndimor 14. South East Europe Media Organisation (SEEMO) – Austri 15. World Alliance for Citizen Participation (CIVICUS) – Afrikë e Jugut 16. Active Durrës Centre / Qendra "Durrësi Aktiv" – Shqipëri 17. Association of Independent Creators and Activists "Geto" (Udruženje nezavisnih stvaralaca i aktivista Geto) – Bosnjë e Hercegovinë 5 / 6 18. Association of Journalists of Albania (AJA) / Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) – Shqipëri 19. Association of Journalists of Kosovo (AJK) / Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) – Kosovë 20. Association of Journalists of Macedonia (AJM) – Maqedoni e Veriut 21. Balkan Investigative Reporting Network (BIRN) – Bosnjë e Hercegovinë 22. Centre for Development of Non-Governmental Organisations (CRNVO) – Mal i Zi 23. Centre for Promotion of Civil Society (CPCD) – Bosnjë e Hercegovinë 24. Centre for Science and Innovation for Development (SCiDEV) / Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) – Shqipëri 25. Civic Resistance / Qëndresa Qytetare – Shqipëri 26. Croatian Journalists' Association (HND) – Kroaci 27. Dignity Humanitarian NGO – Armeni 28. Don Bosko Centre (Don Bosko Centar) – Mal i Zi 29. ESD Albania – Shqipëri 30. Faktoje – Shqipëri 31. Gender Alliance for Development Center (GADC) / Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) – Shqipëri 32. Independent Journalists' Association of Serbia (NUNS) – Serbi 33. Kosovar Civil Society Foundation (KCSF) / Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) – Kosovë 34. Kosovo Law Institute (KLI) / Instituti Ligjor i Kosovës (ILK) – Kosovë 35. Legal Aid Society of Moldova – Moldavi 36. Legal Centre (Pravni centar) – Mal i Zi 37. Local Democracy Agency Montenegro (LDA Montenegro) – Mal i Zi 38. Macedonian Center for International Cooperation (MCIC) – Maqedoni e Veriut 39. Media Center Ukraine – Ukrainë 40. NGO Active Zone – Mal i Zi 41. NGO Our Action (NVO Naša akcija) – Mal i Zi 42. Partners Albania for Change and Development (Partners Albania) / Partnerë Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim – Shqipëri 43. Trade Union of Media of Montenegro (SMCG) – Mal i Zi 44. Transparency International Bosnia and Herzegovina (TI BiH) – Bosnjë e Hercegovinë 45. Turkey Recap – Turqi. 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy