
Një autobus me turistë është përplasur me dy makina në një rrugë kombëtare pranë komunës së Paionisë në Greqinë e Veriut mëngjesin e së dielës. Tre persona kanë humbur jetën dhe shumë janë plagosur.
Zëdhënësi i zjarrfikësve, Giannis Artopoios, tha se tre trupa të pajetë u nxorën nga njëra prej dy makinave. Po nga e njëjta makinë, u nxor edhe një person i katërt, i plagosur rëndë. Ndërkaq, në automjetin e dytë të përfshirë në aksident, dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë.
Në autobusin turistik ndodheshin 78 pasagjerë, të cilët ishin turistë serbë që po shkonin për pushime në Asprovalta, në rajonin e Selanikut. 20 prej tyre mbetën të plagosur si pasojë e aksidentit.
Sipas drejtuesit të autobusit, makina me katër pasagjerë po lëvizte në drejtim të kundërt kur papritur goditi autobusin kokë më kokë. Autobusi është kthyer mbrapsht dhe ka rënë në kanalin buzë rrugës. Një makinë e dytë është përfshirë po ashtu në përplasje.



