
Ka zgjatur rreth 2 orë mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve në Partinë Demokratike. Ata u thirrën nga Basha për të diskutuar mbi vendimin për përjashtimin nga Grupi Parlamentar të ish-kryeministrit Berisha.
Në përfundim të kësaj mbledhje deputeti dhe njëkohësisht edhe drejtues i PD në Durrës, Ferdinat Xhaferaj në një prononcim të shkurtër për mediat mbështeti vendimin e liderit demokrat duke thënë se janë shmangur kostot afatgjate të PD dhe Shqipërisë.
Ai tha se nëse nuk do të merrej ky vendim, PD do të përballej me kosto afatgjatë, gjë e cila do të ndikonte edhe shqiptarët për shkak të mënyrës se si po qeveris Rama.
Është vendimi më i vështirë i kësaj partie. Çfarëdo lloj vendimi do të kishte kostot e veta. Vendimi u mor në limite kohore. Është një nga vendimet që merr parasysh eliminimin e kostove afatgjata të Partisë Demokratike që do të thotë vazhdimi për një kohë të gjatë të kësaj qeverisjeje.
Ferdinand Xhaferaj ka qenë ndër të parët në PD që mbështeti qëndrimin pro SHBA-ve dhe gjetjen e një zgjidhjeje për kërkesat e tyre.



