Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Albana Boksi në një intervistë ekskluzive për “Fact Check” në MCN TV foli mbi përdorimin e rrjeteve sociale nga gjyqtarët. Si këshilltare për etikën pranë KLGJ ajo është shprehur pro përdorimit të rrjeteve sociale nga magjistratët. Teksa shpjegoi këtë vendim, Boksi thekson se gjyqtari si çdo qytetar ka të drejtën e shprehjes që është e garantuar me kushtetuese. Megjithatë Boksi vë po ashtu në dukje se gjyqtari duhet të ketë në konsideratë që çdo koment, pëlqim i tij në rrjetet sociale vëzhgohet nëse e cenon pavarësinë apo paanshmërinë.
Opinioni në lidhje me përdorimin e rrjeteve sociale nga gjyqtarët u publikua në qershor të vitit 2021, pas miratimit të Kodit të Etikës në gjyqësor.
Nuk është bërë një statistikë. Është evidentuar që ka një përdorim masiv të rrjeteve sociale edhe nga magjistratët, gjyqtarë dhe prokurorë. Si rrjetet profesionale si Linkedin, por edhe ato më personale, si Facebook, Twitter, apo rrjetet e tjera sociale. S’ka një statistikë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, apo nga ana ime, por perceptimi është që përdoren. Mund të ketë raste të tilla që e përdorin me pseudonime apo përmes emrave të familjarëve. Por kjo s’i përjashton nga përgjegjësia për të respektuar rregullat e etikës, si gjatë ushtrimit të funksionit gjyqësor dhe jashtë. Edhe një postim i thjeshtë i gjyqtarit në rrjetet sociale mund të krijojë perceptimin që ai është i ndikueshëm, apo që s’është i paanshëm, s’është i pavarur. Funksioni i gjyqtarit nuk fillon dhe s’mbaron në zyrë. Ka gjyqtarë të përgjegjshëm që e ruajnë të njëjtën etikë si brenda dhe jashtë”.
Ajo sqaron se inicimi i procedimit disiplinor i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa vendimmarrja i takon Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Kjo nënkupton përdorimin e çdo pajisje elektronike, një komunikim virtual nëpërmjet platformave, forumeve, në parim s’është i ndaluar. Unë kam këtu opinionin më të fundit të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, nr 25 i vitit 2022, ku garanton që gjyqtari si çdo qytetar ka të drejta kushtetuese dhe njëra prej tyre është liria e shprehjes. Çdo gjyqtar mund ta shprehë opinionin, por ajo çka e kufizon është që në këtë komunikim, duhet të ketë në konsideratë që çdo deklaratë, çdo koment, çdo pëlqim, mund të vëzhgohet nga një vëzhgues i arsyeshëm, me syrin që cenon pavarësinë, cenon paanësinë, është sjellje e përshtatshme, respekton integritetin gjyqësor. Të gjitha këto gjyqtari duhet t’i ketë në konsideratë kur jep një pëlqim. Ka pasur batuta për korrupsionin gjyqësor, ka patur batuta apo komente në kuadrin e një shakaje, dhe ndoshta një like i gjyqtarit mund të krijojë perceptim të gabuar.



