Një deklaratë e papritur dhe e pazakontë e ish-kryeministrit Sali Berisha, në seancën e fundit plenare, ku e konsideroi luftën e partizanëve një faqe të ndritur të historisë, ka indinjuar legalistët, ballistët dhe ish- të përndjekurit politikë.
Ballistët dhe legalistët, aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike, ndihen të zhgënjyer nga qëndrimi i ish-kryeministrit Berisha, ndërsa të përndjekurit shprehen për Shqiptarja.com, se nuk janë të befasuar, teksa e konsiderojnë Berishën lojë dhe njeriun e Ramiz Alisë.
Kreu i Partisë Rruga e Lirisë, Kurt Kola, pohon se Berisha është i sinqertë në deklaratën e tij, pasi ishte i besuari i Ramiz Alisë, për mbrojtjen e komunistëve pas ndryshimit të sistemit.
“Lufta kaloi në vëllavrasje, me ndërmjetësimin e dy përfaqësuesve serbë. Por, Berisha vazhdoi ideologjinë komuniste në ’92. U edukua dhe shkollua me atë ideologji.
U bë sekretar partie për 25 vjet. Në këtë kuadër, Berisha nuk ka se si të dalë kundër komunistëve, të cilët shkatërruan Shqipërinë. Ishte i sinqertë. Berisha, po të ishte antikomunist, puna e parë që duhet të bënte kur ishte president, duhet të ngrinte një Gjykatë Speciale për të dënuar diktatorin Enver Hoxha dhe regjimin totalitar, i cili pushkatoi mbi 6 mijë shqiptarë dhe burgosi 30 mijë të tjerë.
Por, Berisha ishte i besuar i Ramiz Alisë dhe i Byrosë Politike. Ishte lojë e tyre. Po të ishte i djathtë, duhet të kishte dënuar diktatorin për genocid, do të dënonte krimet masive, do t’u kthente pronën pronarëve, do t’u jepte të drejtat të burgosurve dhe të internuarve politikë etj. Nëse do t’i bënte këto, nuk do të ishte një i vendosur dhe njeri i Ramizit. Por, nuk i bëri”, tha Kola.



