Sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka hyrë në një kurs të paprecedentë përplasjeje me pushtetin ekzekutiv për çështjen e pagave, duke përdorur të gjitha mjetet ligjore e penale në dispozicion.
Nga njëra anë, një grup gjyqtarësh i janë drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme (SPAK) me një kallëzim penal ndaj drejtuesve të Ministrisë së Financave.
Padia synon drejtpërdrejt Ministrin e Financave, Petrit Malaj, Sekretarin e Përgjithshëm, Gentian Këri, dhe drejtuesit e Degës së Thesarit në Tiranë. Zyrtarët e lartë akuzohen për katër vepra të rënda, përfshirë shpërdorimin e detyrës dhe mosezekutimin pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës, duke u bërë pengesë për kalimin e pagave të tyre.
Nga ana tjetër, prokurorët kanë zgjedhur një strategji tjetër radikale. Të martën, ata pritet t'i drejtohen Gjykatës Administrative me një kërkesë të jashtëzakonshme për bllokimin e llogarive të Thesarit për të gjithë shtetin.
Kjo masë sigurimi kërkohet të mbetet në fuqi deri në momentin që Ministria e Financave të ekzekutojë plotësisht pagesat e tyre, një lëvizje që rrezikon të ngrijë përkohësisht transaksionet financiare të qeverisë.



