Një sondazh i realizuar nga Komisioni Evropian ka nxjerrë në pah se shqiptarët renditen ndër punëtorët më të pakënaqur në Evropë sa i takon cilësisë së punës dhe kushteve të punësimit.
Lidhur me këtë çështje, në studion e ‘MCN Economy’ folën sipërmarrësja në tregun e punës, Suzana Aga, dhe ekspertja e çështjeve të punësimit, Gertjana Hasalla.
Hasalla theksoi se niveli i pakënaqësisë në tregun e punës mund të jetë edhe më i lartë sesa tregojnë statistikat, duke argumentuar se shumë shqiptarë nuk arrijnë të përballojnë jetesën me të ardhurat që sigurojnë.
Jo vetëm 39%, por mendoj se përqindja është edhe më e lartë. Shumë njerëz në Shqipëri kanë vështirësi ta përballojnë jetesën me të ardhurat që marrin. Të ardhurat shpesh nuk mjaftojnë për koston aktuale të jetesës.
Sipas saj, problematika nuk lidhet vetëm me nivelin e pagave, por edhe me mënyrën se si trajtohen punonjësit, mungesën e mundësive për zhvillim profesional dhe mosrespektimin e të drejtave në vendin e punës.
Kur flitet për kushtet e punës, nuk bëhet fjalë vetëm për pagën. Po aq të rëndësishme janë trajtimi i punonjësve, mundësitë për karrierë dhe respekti në vendin e punës.
Ekspertja solli edhe shembuj konkretë nga tregu shqiptar i punës, duke përmendur rastet e punonjësve të pastrimit, të cilët sipas saj punojnë më shumë orë nga sa parashikon kontrata, pa u kompensuar për orët shtesë.
Një punonjës pastrimi mund të ketë kontratë për gjashtë orë, por në realitet punon tetë apo dymbëdhjetë orë. Megjithatë, ai nuk merr as pagën minimale, pasi kontrata figuron me kohë të pjesshme.
Ajo shtoi se në shumë raste punonjësit detyrohen të punojnë edhe gjatë ditëve të pushimeve zyrtare, pa përfituar pagesat shtesë të parashikuara në Kodin e Punës.
Shumë pak punonjës në Shqipëri paguhen më tepër për orët shtesë apo për punën në ditët e pushimeve zyrtare.
Nga ana tjetër, sipërmarrësja Suzana Aga e konsideroi raportin si një reflektim të realitetit në vend, duke e lidhur drejtpërdrejt me emigracionin dhe ndryshimet në pritshmëritë e punonjësve shqiptarë.
Raporti nuk më habit. Është normal dhe i pritshëm, përderisa kemi ikje të vazhdueshme të shtetasve shqiptarë.
Sipas saj, edhe pse pagat janë rritur, kostot e jetesës dhe kërkesat e punonjësve kanë ndryshuar ndjeshëm. Aga u ndal edhe te krahasimi mes kostos së një punonjësi shqiptar dhe atij të huaj.
Një punonjës i huaj mund të vijë me një pagë më të ulët, por kur shtohen kostot e akomodimit dhe shpenzimeve të tjera, kostoja shkon pothuajse sa paga e një punonjësi shqiptar.
Aga evidentoi gjithashtu se të rinjtë shqiptarë nuk preferojnë më sektorë si fasoneria apo pastrimi, duke kërkuar alternativa më të mira dhe më fitimprurëse.
Sot një vajzë e re nuk pranon të punojë në pastrim me pagë minimale. Ajo zgjedh sektorë të tjerë, si call center-at apo punë të lidhura me dixhitalizimin.
Sipas saj, bizneset po hasin gjithnjë e më shumë vështirësi për të mbajtur punonjësit shqiptarë, të cilët janë më të prirur të ndryshojnë vendin e punës ose të largohen jashtë vendit në kërkim të një standardi më të mirë jetese.



