Bashkëpunimi mes PS dhe LSI duket se vijon në nivel vendor, pavarësisht se për qeverisjen qendrore, këto dy forca janë tashmë në dy kampe të kundërta.
Kryebashkiaku Erion Veliaj i shoqëruar nga administratori i Njësisë nr. 2 në Tiranë i zgjedhur nga LSI, Elez Gjoza, kanë inspektuar sot përfundimin e punimeve në rrugën “Hermann Gmeiner” në Sauk. Veliaj deklaroi se në Tiranë punohet çdo ditë për të mbajtur premtimet, ndërsa ka ndërhyrje edhe në 80 rrugë të tjera. “Sot kemi rrugë të reja në Saukun e Vjetër, ku vetëm emri ka mbetur i tillë sepse çdo gjë tjetër po investohet e re, duke nisur nga palestra e shkollës “Ibrahim Brahja”, deri tek investimet në infrastrukturën rrugore.
Ndërsa administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza, deklaroi se për qytetarët e këtij komuniteti është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme besimi për punën që po bën Bashkia e Tiranës. “Bashkia nuk ka pasur periudhë vere, periudhë dimri, zgjedhje mbas zgjedhje është përditë në punë dhe përditë siç ka thënë dhe e madhja Nënë Tereza, ka bërë nga një punë të mirë. Kështu që, si administrator i kësaj njësie falenderoj Kryetarin e Bashkisë për punën e mrekullueshme që ka bërë pa dallim politik për qytetarët e Tiranës”, theksoi Gjoza. Para zgjedhjeve Elez Gjoza u kallëzua penalisht, pasi regjistroi 70 persona në mënyrë fiktive sikur ishin pjese e banesës së tij. Ndërsa për kallëzimin Gjoza akuzoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është kryetari i PS për qarkun e Tiranës.



