Të paktën 39 persona që po festonin Vitin e Ri në një klub nate në Stamboll janë vrarë vetëm një orë e 15 minuta pas mbërritjes së 2017-ës.
Lajmi është konfirmuar edhe nga ministri turk i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, i cili tha se nga sulmi kanë humbur jetën 39 persona, 16 prej të cilëve të huaj, ndërsa në spital janë 65 të plagosur, katër prej të cilëve në gjëndje të rëndë.
Është ende e pakonfirmuar sa persona ishin të përfshirë në sulm, por ka raporte se një terrorist ishte i veshur si babagjysh i Vitit të Ri.
Sulmi ndodhi në klubin e natës Reina, një nga më të njohurit në Stamboll, i cili ndodhet në brigjet europiane të Bosforit, në Ortakoy të Beshiktashit. “BBC” thotë se rreth 700 persona raportohen të kenë qenë në klubin e natës në momentin e sulmit, disa prej të cilëve besohet se janë hedhur në ujërat e Bosforit për t’i shpëtuar sulmit.
Agjencia turke e lajmeve “DHA” citon disa dëshmitarë okularë tek thonë se terroristët “flisnin arabisht”.
Sulmi në klubin e natës në Stamboll vjen vetëm tri javë pas një sulmi të dyfishtë me bomba jashtë stadiumit “Vodafone Arena” po në lagjen Besiktas, ku u vranë 44 persona. Dy sulmet ndodhën në një distancë prej pak kilometrash prej njëri tjetrit.
Rreth 17 000 oficerë policie ishin në detyrë natën e ndërrimit të viteve në Stamboll, qytet i cili ndodhet në shkallë të lartë alarmi pas një zinxhiri sulmesh terroriste në muajt e fundit.



