
Vinçens Piroli, i plagosur në një atentat mbrëmjen e 3 janarit në Shkodër, është arrestuar në ambientet e Spitalit të Traumës ku po merr trajtim mjekësor. Burime nga policia bëjnë të ditur se arrestimi i 34-vjeccarit u bë me qëllim ekstradimin e tij në Malin e Zi, aty ku është shpallur në kërkim nën akuzën e vrasjes së shtetasit Momccillo Gjurishiç. Kjo ngjarje ka ndodhur më 4 korrik të vitit 2021, në Ulqin.
Vinçens Piroli u paraqit i plagosur mbrëmjen e së hënës në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, ndërsa rezulton të jetë qëlluar me armë zjarri teksa po lëvizte në këmbë tek Ura e Bunës në Shkodër. Nga veprimet paraprake hetimore, policia ka arritur të zbardhë dinamiken e ngjarjes. Sipas burimeve, i riu është qëlluar nga pas me tre plumba pistolete me silenciator, duke marrë një plagë në shpatull dhe dy në pjesët e brinjëve. Menjëherë pas ngjarjes, Piroli ka njoftuar me telefon një familjar të tij i cili e ka marrë dhe dërguar në Urgjencën e Lezhës e më pas është larguar, duke mos treguar asgjë mbi atë çfarë kishte ndodhur.
Pasi mori ndihmën e parë, 34-vjeccari u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, nga ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë për jetën si pasojë e plagëve të marra dhe humbjes së një sasie të madhe gjaku gjatë transportit për në spital. Ndërkohë, grupi hetimor u vu në lëvizje dhe nisi hetimet në lidhje me rastin, duke bërë të mundur identifikimin e personit që dërgoi në spital Vinçens Pirolin, nga fshati Sanxhak i Kurbinit, por banues në qytetin e Shkodrës.
Sipas informacioneve, i plagosuri ka kërkuar vetë që të dërgohet për mjekim në Lezhë dhe jo Shkodër me pretendimin se ndjehej më i sigurt në atë zonë. Nga ana tjetër, grupi hetimor i përbërë nga ekspert të policisë së Lezhës dhe asaj të Shkodrës po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Në zonën ku mendohet se ka ndodhur plagosja janë sekuestruar kamerat e sigurisë të disa bizneseve të cilat do të analizohen për të parë lëvizjet para dhe pas ngjarjes, çka mund të ndihmojë në identifikimin e autorit apo autorëve.
Referuar dinamikes së ngjarjes, deri në këtë fazë hetimesh dyshimet janë për një atentat të miroganizuar ndaj 34-vjeçarit dhe pista kryesore është ajo e hakmarrjes. I riu ishte shpallur në kërkim bashkë me një person tjetër nga policia malazeze si të dyshuar për vrasjen e ndodhur vitin e kaluar në Ulqin.



