Karboni i gjeneruar nga zjarret në pyje “magazinohet” në oqeane. Atje përfundon nëpërmjet lumenjve që transportojnë çdo vit 18 milion tonë karbon të krijuar nga zjarret. Ky është përfundimi i një studimi të botuar në revistën “Nature Communications”, i kryer nga Universiteti britanik i Anglisë Lindore.
Përveçse lëshojnë dy miliardë ton karbon në atmosferë çdo vit, zjarret prodhojnë rreth 250 milionë tonë karbon në formën e mbetjeve të djegura, të tilla si qymyri dhe hiri. "Rreth gjysma e karbonit në këto mbetje është në formën e të ashtuquajturit 'karbon i zi' dhe ne kemi provuar se rreth një e treta e gjithë këtij karboni të zi arrin në oqeane", thotë Jones. "Kjo është një gjë e mirë - vazhdon ai - sepse ai karbon bllokohet dhe ruhet për periudha shumë të gjata, duhen dhjetëra mijëvjeçarë që karboni i zi të degradohet në dioksid karboni në oqeane".
Karboni që udhëton përmes lumenjve
Studiuesit hulumtuan sasinë e karbonit të tretur që rrjedh nëpër 78 lumenj në të gjitha kontinentet, përveç Antarktidës. "Zjarret - tha Jones - prodhojnë materiale të pasura me karbon, të tilla si qymyri dhe hiri, të cilat degjenerohen shumë ngadalë në tokë. Ne e dimë se ky karbon i djegur kërkon rreth 10 herë më shumë kohë për t’u degraduar në oqeane sesa në tokë. Lumenjtë janë rripa transportues që e zhvendosin karbonin nga toka në oqeane, pra përcaktojnë se sa kohë i duhet karbonit të djegur të degradohet dhe kjo është arsyeja pse vendosëm të vlerësojmë sasinë e karbonit të djegur që arrin në oqeane përmes lumenjve".
Është vlerësuar se 18 milionë tonë karbon i djegur transportohet nga lumenjtë çdo vit. Kur kombinohet me karbonin e djegur që eksportohet me sediment, vlerësimi rritet në 43 milionë tonë në vit. "Ne zbuluam - thotë Jones - se rreth 12% e të gjithë karbonit që rrjedh nëpër lumenj vjen nga bimësia e djegur".



