Greqia e rrezikuar nga ikja e “trurit”/ Njësoj si Titaniku: kush rri, mbytet

Greqia e rrezikuar nga ikja e “trurit”/ Njësoj si Titaniku: kush rri, mbytet

Edhe pse e ka hedhur pas krahëve përvojën e hidhur të krizës ekonomike, Greqia nuk është në ditët e saj më të mira. Statistikat e Bankës Qendrore të Athinës nxjerrin në pah një fenomen me të cilin edhe Shqipëria është përballur kohët e fundit: emigrimin. Gjatë 10 viteve të fundit, nga vendi fqinj me popullsi 11 milionë, ka zgjedhur të largohet 1 në 20 grekë.

Por nëse e sheh me kujdes moshën më produktive, pra atë 20-40 vjeç, përqindja qëndron në 35%: pra 3 të rinj në 10 kanë zgjedhur të ikin.

Arsyet qëndrojnë te mundësitë më të mira që ofrohen në vendet e Europës. Në një reportazh mbi këtë temë në “Corriere della Sera”, të rinjtë grekë thonë se janë gati të bëjnë jashtë vendit një punë që nuk ka lidhje me diplomën që ata kanë, por që gjithsesi do të ishin të detyruar ta bënin edhe në Greqi. “Ndryshimi qëndron në faktin se Europa nuk është në borxh si Greqia dhe atje të paktën paguhesh. Mund të paguhesh pak, por të jepet mundësia të kesh një të ardhme”, thotë Dafni Drossou, 24 vjeçe, e cila ka studiuar për arkitekturë.

Drejtori i një shkolle të mesme në Veria, në kufi me Maqedoninë, Dimitris Tahmatzidis, u jep të drejtë të rinjve grekë.

"Shumë nga studentët e mi e dinë se duhet të shkojnë. Ata që mund ta përballojnë financiarisht, zgjedhin menjëherë universitetet jashtë vendit. Të tjerët përqendrohen te masterat, të tjerë akoma zgjedhin të emigrojnë menjëherë pas diplomimit. Kanë ndjesinë sikur jetojnë në “Titanik”. Ne po u japim mjetet për të emigruar, por kur ata largohen, kush do të qëndrojë këtu për të mësuar të tjerët? Nëse vazhdon kështu, Greqia do të mbytet pa iu dhënë mundësia e “varkave kulturore të shpëtimit””, thotë ai.

Në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Selanik, dekani Grigoris Zarotiadis është vetë një ish-emigrant i rikthyer.

“Jemi ende në një fazë që do ta quaja emigracion i kthyeshëm. Pas disa vitesh, kur këta që po ikin të kenë krijuar familjet e tyre dhe të kenë futur në shkollë fëmijët, asnjë prej tyre nuk do të zgjedhë ta lërë atë jetë që e ka ndërtuar me mund. Nëse duam ta shpëtojmë Greqinë, duhet ta bëjmë shpejt. Jashtë vendit, ashensori social për ata që janë të kualifikuar funksionon ende”, thotë ai.

Greqia ka qenë një vend emigruesish. Shkrimtari Thòdoros Kallifatidis ka thënë: “Rrënjët i kemi në tokën ku shkelin fëmijët tanë dhe jo atje ku kemi varret e prindërve”. Vala e fundit e emigrantëve grekë ka qenë në vitet ’50-’60. Ata që u vendosën në SHBA, Australi dhe Europën e Veriut janë edhe sot mbështetje për grekët që duan të ikin. Por problemi tani për Greqinë nuk është se po i ikin krahë pune, por po i largohet ajo kategori që njihet si “truri”, formimi i të cilit i ka kushtuar jo pak. 

Vetëm në sistemin shëndetësor gjerman aktualisht punojnë 35 mijë grekë. Pasojat janë spitalet greke pa personel.

Greqia mban më 26 maj zgjedhjet për Parlamentin dhe administratën lokale. Sondazhet flasin për një cunami që mund të largojë nga pushteti qeverinë e majtë, duke u dhënë avantazh të djathtëve të Demokracisë së Re. Për të parandaluar këtë, kryeministri Cipras po e vë theksin te treguesit e dobët të rimëkëmbjes dhe një fushatë punësimesh me afat të përcaktuar.

Por për t’i dhënë më shumë zë zemërimit, ekstremi i djathtë, Agimi i Artë, e akuzon kryeministrin Cipras për shitjen e pasurive kombëtare dhe largimin e të rinjve. “Europa e globalizmit, e bankierëve, e liberalëve dhe socialistëve u ka dhënë fitime gjigante atyre që janë më të fuqishëm ekonomikisht dhe ka skllavëruar financiarisht qytetarët. Njerëzit e kanë kuptuar këtë dhe do të na japin mundësinë të bëhemi partia e tretë e vendit, me një përqindje dyshifrore në votime”, thotë Antonios Gregos, deputet i Selanikut për Agimin e Artë.

Kriza greke ka rënduar më shumë në qytetet e mëdha: Athinë dhe Selanik. Ishujt mbetën imunë falë turizmit, ndërsa pjesa qendrore falë agrikulturës. Noussa, një zonë industriale 150 km nga Selaniku, është prekur nga kriza dhe papunësia. Kryebashkiaku Nikos Koutsogiannis thotë se dikur ajo ka qenë Mançesteri i Ballkanit. “Në fillim të viteve 2000, konkurrenca aziatike na nxori jashtë tregut. Nga 30 mijë punonjës, 5 mijë kanë mbetur pa punë. Qyteti është boshatisur”, thotë ai.

Në Athinë, shkrimtari Petros Markaris, është i shqetësuar nga diaspora në rritje e Greqisë. “E kuptoj se shumë mund ta bëjnë fajtore Europën sepse ngjan sikur u themi të papunëve atë që sipas një proverbi grek i thuhet djallit: “Ik nga unë, shko te fqinji”. Por për mua, problemi i vërtetë është shkatërrimi i klasës së mesme, e vetmja gardiane e demokracisë. Nuk është rastësi fakti që po rritet ekstremi i djathtë dhe racizmi. Nëse duam ende të dalim nga kriza në demokraci, a ka diçka tjetër më mirë se Europa?”, thotë ai.

Andrea Nicastro

Në foto: Një sallë bosh në Universitetin e Selanikut 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy