
Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar për më shumë se një muaj e gjysmë.
As në seancën e 24-të të radhës, nuk është arritur të konstituohet Kuvendi, pasi dështoi miratimi i propozimit për formimin e komisionit zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.
Lidhur me këtë ngërç, përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (IDK) kanë theksuar se, megjithëse shteti është në pauzë prej një muaji e gjysmë, deputetët kanë marrë nga 2,600 euro në xhirollogari për secilën seancë të dështuar.
Kjo do të thotë se për 24 dështime radhazi, 120 deputetët e Kuvendit kanë marrë mbi 300,000 euro nga taksat e qytetarëve për më pak se dy orë punë efektive, pa asnjë vendim të marrë.
Eugen Cakolli nga IDK ka pohuar se ky është një shpenzim i tepruar i parasë publike, ndërkohë që procesi i konstituimit të Kuvendit është bllokuar dhe nuk ka asnjë rezultat konkret.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet, pasi Lëvizja Vetëvendosje (LVV), partia fituese, nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit.
Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme nga partitë opozitare. PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun, ndërsa LVV ka theksuar se nuk do të ndryshojë kandidaturën e saj.
Seancat mbahen çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të zgjedhur kryeparlamentarin, çka po mban të bllokuar procesin e formimit të institucioneve të reja.
Kuvendi ka dështuar të konstituohet 24 herë radhazi, dhe ngërçi aktual lidhet me formimin e Komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.
Seanca e radhës është planifikuar për të hënën.



