Anëtari i Këshillit Grevist në Kosovë, Nexhat Llumnica flet për gjendjen që vijon prej 25 gushtit, ku Kosova është përfshirë nga greva dhe protesta nga mësuesit dhe administrata publike ku kërkojnë rritje pagash.
Në një intervistë për MCN TV, Llumnica deklaroi se greva vjen për arsye se ka pasur kërkesa të vazhdueshme për ata që marrin fonde, për miratimin e ligjit për paga 100 euro në mënyrë lineare për të gjithë punonjësit.
Ai tha se kjo kërkesë është bërë që në shkurt dhe në 8 prill u mbajt protesta e parë, për të vijuar, por pa u negociuar asnjëherë kërkesat.
Lidhur me faktin se ministri i Financave, Punës dhe Transfertave të Kosovës, Hekuran Murati ka reaguar duke thënë se në ligj është vendosur për rishikimin dhe një pjesë e pagave të mësuesve është likuiduar, Llumnica deklaroi se kjo është thënë prej vitit të kaluar, por nuk ka ndodhur.
Herë është dhënë një datë, herë një tjetër, për këtë arsye na është dashur mos t’iu besojmë më fjalëve dhe për këtë arsye është vendosur për grevë.
Greva vazhdon përkundër presionit të ministrit të Financave dhe Kryeministrit të Kosovës. Ky presion është i paparë ndonjëherë, por punëtorët janë të vendosur që greva të vazhdojë.
Ai sqaroi kallëzimin penal të Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ndaj ministrit të Financave.
Kallëzimi penal është bërë për arsye se ministri ka vendosur në kundërshtim me ligjin për daljen e pagave, sepse me grevë nuk guxon askush të marrë masa, as disiplinore dhe as materiale dhe nuk mund të ndërpritet marrëdhënia e punës, për sa kohë është në grevë i punësuari, mund të bëhen edhe padi të tjera për dëme materiale, shpirtërore, nga presioni i ministrit dhe Kryeministrit.
Emocionet e të punësuarve janë të rritura se ky presion është i paparë deri tani. Nuk kemi pasur raste që nga pas lufte që ti hiqet paga një të punësuari që është në grevë.
Është qeveria e parë dhe ministri i parë që kërcënojnë në këtë formë. Jemi duke pritur që të procesohen pagat për të gjithë, edhe për ata që nuk kanë qenë në grevë. Do presim edhe ndonjë ditë, nëse nuk procesohen pagat, atëherë punëtorët mund të bëjnë edhe hapa të tjerë dhe mund të destabilizohen pagat.
Për muajin gusht nuk janë marrë pagat që duhet të merreshin në datë 1, as nga arsimtarët, as nga mjekësia, as nga administrata. Nga këshilli grevist është vendosur deri në dialogim me partnerin social apo realizimin e kërkesave tona, nuk do të ndalet greva.
Llumnica pohoi se qëndrimi në grevë mund të dëmtojë mësimdhënien, duke kujtuar se ai është prind, por tha se më e rëndë është gjendja e mësimdhënësve.
Sipas tij, shumë mësimdhënës detyrohen që të bëjnë punë tjera për të mbijetuar jashtë orarit të punës.
Për këtë arsye ne e dimë që do të humbim përkohësisht, por nëse ka pagë të dinjitetshme, atëherë do kemi edhe arsim më cilësor.



