400 vetë, të gjithë burra do të strehohen fillimisht në kampet e Shëngjinit dhe të Gjadrit, në dy qendrat e ngritura enkas në Shqipëri për pritjen e emigrantëve të shpëtuar nga roja bregdetare italiane.
Personat që do të strehohen në këto qendra do të jenë vetëm nga vendet e treta që konsiderohen “të sigurta” dhe për këtë arsye do ta kenë më të lehtë riatdhesimin. Kampi është ndërtuar në një sipërfaqe prej 77 mijë metra katrorë dhe është ndarë në gjashtë pjesë.
Kapacitetet janë për pritjen e rreth tre mijë emigrantëve, ndërsa parashikohet shqyrtimi i afro 36 mijë kërkesave për azil në vit.
Kërkesat për azil duhet të analizohen maksimumi 28 ditë, sipas procedurës së përshpejtuar të parashikuar nga ligji italian.
Gjatë kësaj kohe, aplikantët do të jenë të akomoduar në një zonë të ngjyrosur me ngjyrë jeshile në gjendje të takojnë avokatë dhe staf të organizatave ndërkombëtare.
Të gjitha kostot për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e dy qendrave përballohen nga Italia, e cila gjithashtu do të rimbursojë çdo shpenzim shëndetësor të shkaktuar nga spitalet shqiptare të zonës për të trajtuar njerëzit e strehuar.
Për të ndërtuar të dy strukturat u shpenzuan 47.7 milion euro, por autoritetet nuk janë në gjendje të llogarisin me saktësi koston totale të procedurave për kohëzgjatjen pesëvjeçare të marrëveshjes midis Italisë dhe Shqipërisë.



