Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Gjirokastër-Tepelenë, kur një autobus me 41 pasagjerë u përmbys si pasojë e daljes nga rruga. Për fat të mirë askush nuk humbi jetën, por 31 nga pasagjerët që ndodheshin në brendësi të mjetit, mbetën të plagosur dhe u dërguan me urgjencë në qëndrën spitalore.
Si pasojë e lagështirës, një autobus doli nga rruga duke shkaktuar plagosjen e 31 personave. Më konkretisht mësohet se aksidenti ndodhi në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, në orën 04.00 të mëngjesit të sotëm, ndërsa për të dhënë shpjegime rreth shkaqeve u mor në pyetje drejtuesi i mjetit, 50-vjeçari Ilia Filos. Nga ana tjetër bëhet me dije gjithashtu se nga 31 të plagosurit, vetëm 15 prej tyre mbetën në shtretërit e spitalit, pasi 16 të tjerët nuk kishin nevojë për mjekime. Mes të plagosurve ndodhet edhe një fëmijë. Autobuzi me targa TR 5631 U i përket kompanisë “Komatas” dhe kthehej nga Athina, kur doli nga rruga si pasojë e lagështirës. Mjeku i spitalit të Gjirokastrës, Roland Karalli sqaroi se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Ai u shpreh se të plagosurit janë nga disa qytete të vendit, ndërsa të fundit që dolën nga spitali janë disa djem Dibra. Në vendin e ngjarjes mbërriti grupi hetimor që po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti.



