Të paktën 1301 persona vdiqën gjatë Haxhit, thotë Arabia Saudite, kryesisht pelegrinë të paautorizuar që ecnin në distanca të gjata në vapë ekstreme.
Pelegrinazhi i këtij viti u zhvillua gjatë një vale të nxehtit, me temperatura që nganjëherë i kalonin 50 gradë celcius.
Më shumë se tre të katërtat e atyre që vdiqën nuk kishin leje zyrtare për të qenë atje dhe ecnin nën rrezet e diellit direkte pa strehë adekuate, tha agjencia zyrtare saudite e lajmeve SPA.
Disa nga ata që vdiqën ishin të moshuar ose të sëmurë kronikë, shtoi agjencia.
Ministri i Shëndetësisë Fahd Al-Jalajel tha se janë bërë përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet e stresit të nxehtësisë dhe se si pelegrinët mund ta zbusin këtë.
Objektet shëndetësore trajtuan gati gjysmë milioni pelegrinë, duke përfshirë më shumë se 140.000 që nuk kishin leje, dhe disa ende në spital për shkak të rraskapitjes nga nxehtësia.

Arabia Saudite është kritikuar se nuk ka bërë shumë për ta bërë Haxhin më të sigurt, veçanërisht për pelegrinët e paregjistruar të cilët nuk kanë akses në objekte të tilla si tendat me ajër të kondicionuar dhe transportin zyrtar të Haxhit.
Temperaturat në Mekë u ngjitën deri në 51.8 gradë Celsius, sipas qendrës kombëtare meteorologjike të Arabisë Saudite.
Agjencia e lajmeve AFP citoi një diplomat arab të thoshte se 658 egjiptianë kishin vdekur. Indonezia tha se më shumë se 200 shtetas të saj humbën jetën, ndërsa India dha një numër të vdekjeve prej 98 personash.
Pakistani, Malajzia, Jordania, Irani, Senegali, Sudani dhe rajoni autonom i Kurdistanit i Irakut kanë konfirmuar gjithashtu vdekje.
Haxhi është pelegrinazhi vjetor i myslimanëve në qytetin e shenjtë të Mekës. Të gjithë myslimanët që janë të aftë financiarisht dhe fizikisht duhet ta kryejnë pelegrinazhin të paktën një herë në jetën e tyre.
Rreth 1.8 milionë njerëz morën pjesë këtë vit, tha Arabia Saudite.
Të shtunën, kryeministri egjiptian Mostafa Madbouly hoqi licencat 16 kompanive turistike dhe i referoi menaxherët e tyre te prokurorët për lejimin e pelegrinazheve të paligjshme në Mekë.
Të premten, Jordania tha se kishte arrestuar disa agjentë udhëtimi që lehtësuan udhëtimin jozyrtar të pelegrinëve myslimanë në Mekë. Ndërkohë presidenti tunizian Kais Saied shkarkoi ministrin e çështjeve fetare.
Lejet e haxhit u shpërndahen vendeve me sistem kuotash dhe u shpërndahen individëve me short.
Megjithatë, kostot e përfshira shtyjnë shumë njerëz që të përpiqen të marrin pjesë pa leje, megjithëse rrezikojnë arrestimin dhe dëbimin nëse kapen.



