Kryeministri Edi Rama në një lidhje të drejtëpërdrejtë në “Facebook” iu ka kthyer përgjigje shqetësimeve të shumë qytetarëve. Ai foli për shumë çështje, që nga lëvizja me automjet, më këmbë, paketën ekonomike etj.
Rama tha se nga sot autorizimet për të lëvizur me automjet do të jenë më të thjeshta.
“Restorantet dhe baret janë të fundit që do hapen. më vjen keq por është e pamundur ndryshe.
Nëse ju keni punë në qytet dhe do shkoni me automjet patjetër privat, patjetër por do të merrni një autorizim dhe autorizimet do të jenë shumë më të thjeshta tani që mund të lirojnë pak. E di shumë mirë që ka qenë e shtrënguar, e di shumë mirë që shumë autorizime janë refuzuar, kjo nuk ka qenë për ndonjë epsh diktatorial por thjesht për të garantuar atë që kush do ta shikojë e shikon qartë sot, rezultatin që kemi arritur në këtë luftë.
Duhet ta çojmë kurbën drejt zeros me durim, sigurisht dhimbjet nga pasoja të natyrës ekonomike janë të konsiderueshme, por askush mos ta harrojë se halli i halleve është jeta e njerëzve.
Koronavirusi ne na luan fenë siç po ua luan fenë shumë të tjerëve por arsyeja që nuk na i ka luajtur deri sot është se jemi mbrojtur shumë më fort. Armiku nuk ka ikur dhe na bën gjëmën po t’iu hapim shteg”, deklaroi Rama.
Sa i përket shqetësimeve për gjendjen e qytetarëve që nuk kanë të ardhura, Rama tha se që nga koha e Skënderbeut nuk ka vdekur kush kurrë ndonjë shqiptar për bukë. “Sepse është bukë, kripë e zemër historia e Shqipërisë. Në këtë vend po ndihmohen sot njerëzit në nevojë siç nuk mund të imagjinohej se mund të ndihmoheshin më përpara. Kanë kaluar 200 mijëshin rastet e trokitjes derë më derë të operacionit humanitar”, tha ai.
Sa iu përket masave, Rama theksoi se populli nuk merr gjoba, marrin të papërgjegjshmit. “Gjobat nuk janë për të mbushur buxhetin. Janë pak fare në raport me popullin. Por janë për të dhënë një mesazh që jetohet me rregulla dhe rregullat janë njësoj për të gjithë”, deklaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se paga 40 mijë lekë e premtuar për ata që janë prekur nga kriza e pandemisë do të shkojë drejtpërdrejt tek individi.
Në një komunikim me qytetarët online, Rama tha se e vetmja gjë që duhet të bëjnë njerëzit në këtë rast është që të futen në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe të konfirmojnë që bëhet fjalë për ta.
“Ne duam që kjo pagë 400 mijë lekë të vijë drejtpërdrejt tek ti, jo të kalojë nëpërmjet pronarit apo nëpërmjet kompanisë. Si janë përzgjedhur punonjësit? Bazuar në listëpagesat e paraqitura ngha kompanitë deri në datën 10 prill. Që do të thotë se të gjithë ata që figurojën të larguar, të papaguar, javë pas jave, në këto lista, janë të identifikuar dhe do të duhet vetëm që në momentin që do të hapet faqja përkatëse në adresën online të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe thjesht të konfirmosh. Ne e disponojmë emrin tënd, ti duhet thjesht të konfirmosh, një konfirmim shumë i thjeshtë, pa një procedurë verifikimi siç ndodh me paketën e parë, ku është i detyrueshëm të kryhet një verifikim i bizneseve të vogla të mbyllura.”
Ai pohoi se nuk do të ngelet askush pa marrë pagën, mjafton vetëm të kenë durim.
Kreu i qeverisë, Edi Rama tha se brenda 24 orëve do të vihet në dispozicion një shpërblim monetar për të gjithë ata që punojnë në të zezë dhe e denoncojnë një fakt të tillë.
Rama deklaroi se ata nuk mund të përfitojnë dot nga paketat financiare sepse është e pamundur të indetifikohen. E vetmja mënyrë si mund të përfitojnë financiarisht, sipas Ramës, është duke denoncuar punëdhënësin.
“Punën në të zezë ne e kemi luftuar me të gjith aforcat dhe kemi nxjerrë nga ajo skllavëri një numër të madh që janë regjistruar. Por asnjë vend në planet, askush nuk ka në asnjë paketë që kemi parë deri më sot ndonjë shumë për ata që punojnë në të zezë. Si identifikohen kush punon vërtetë në të zezë dhe kush vjedh dhe thotë unë kam punuar në të zezë dhe dua edhe unë lekë? Nëse janë në vështirësi të madhe, le të denoncojnë, Ne po bëjmë gati një shpërblim financiar për ata që do të thonë unë kam punuar në të zezë në filan kompani dhe sot nuk kam asnjë të ardhur jo se nuk kam punuar, por sepse nuk më ka regjistruar pronari. Si ta zgjidhim ne kur ti nuk ke kurajo të luftosh për veten tënde? Kjo nuk zgjidhet me kontrolle, me inspektime sepse është një marrëveshje e heshtur mes një pronari dhe një individi. Brenda 24 orëve ne do të kemi edhe këtë ofertë të re për ata që janë në të zezë.”
Kryeministri garantoi se nuk do të lejohet që punëdhënësi të hakmerret më pas.
Edi Rama theksoi se pagesat e sigurimeve shoqërore nuk do të shtyhen. Po ashtu, ai u shpreh se do të lejohet lëvizja me mjete private për të ikur në punë, por brenda fashave orare 05.00-08.00 për të shkuar dhe për t’u kthyer 16.00-17.30.



