
Prej shekujsh, njeriu është kuriozuar nga ajo që ndodh me të pas vdekjes. Çfarë ndien në momentet e fundit dhe çfarë ka përtej vdekjes. Mbi këto pyetje janë ngritur hipoteza të ndryshme, që shpesh janë kthyer në skenarë filmash. Shkenca nuk ka dhënë ndonjëherë një përgjigje të qartë dhe shteruese për këtë temë. Por së fundmi, një studim i kryer nga mjekët kanadezë ka mundur të zbulojë më shumë mbi minutat e para të kalimit në botën tjetër.
Duket se truri mund të jetojë edhe për të paktën 10 minuta pasi trupi është shuar përfundimisht. Mjekët kanadezë në sallat e emergjencës kanë konstatuar se truri i njeriut vijon punën edhe pasi ai është shpallur klinkisht i vdekur.
Ata e konstatuan vdekjen përmes vëzhgimeve të zakonshme si mungesa e pulsit dhe bebëzat e syrit që nuk reagojnë. Por testet treguan se truri i pacientit vijoi të punonte në të njëjtën mënyrë siç funksionon në fazën e gjumit të thellë. “Valët delta vijuan edhe pas ndalimit të ritmit kardiak dhe presionit arterial të gjakut”, konstatohet në studimin e publikuar nga Universiteti i Ontarios Perëndimore.
Aktiviteti i zgjatur i trurit pas vdekjes u konstatua vetëm te 1 prej 4 pacientëve të vëzhguar. Por reagimi i ndryshëm i trurit te të gjithë pacientët e studiuar i habiti akoma më shumë studiuesit.
Ata thonë se nuk mund të nxirren shumë konluzione me një vëzhgim të përmasave të vogla, por e përjashtojnë tërësisht mundësinë e ndonjë gabimi gjatë studimit.
Studime të mëparshme kishin arritur në përfundimin se aktiviteti i trurit ndalon vetëm 1 minutë pas vdekjes, por eksperimentet ishin kryer vetëm me minjtë.
Studime të tjera të kohëve të fundit kanë treguar se gjenet vijojnë të funksionojnë, madje në mënyrë akoma më energjike, në ditët e para pas vdekjes. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



