
Qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë nderuan në mënyrën më madhështore, më solemne, më dinjitoze 22 marsin, ditën e parë të demokracisë me demonstratën e tyre të fuqishme në kushtet e një narkodiktature, autokracie elektorale apo diktaturë autoritare, shqiptarët treguan dje se janë të pamposhtur nga kjo narkodiktaturë.
Mendoj se me protestën e tyre përfaqësuan revoltën, zemërimin e një kombi të tërë. Mesazhi është i qartë, në Shqipëri në kushtet e autokracisë të sundimit të Edi Ramës, nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet. Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje.
Duke folur për mediat ditën e sotme pas protestës së të dielës, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se beteja e opozitës do përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë deri në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën.
Ai shtoi se protestuesit shprehën zemërimin e tyre ndaj këtij regjimi.
Berisha tha se nuk ka më paqe dhe stabilitet për hajdutët, deri në rikthimin e votës së lirë, shtetit ligjor.
Ne vazhdojmë rrugën tonë gjer në largimin e kësaj organizate kriminale nga pushteti, e cila ka zero legjitimitet. Ka dalë nga farsa elektorale e certifikuar. Ka vjedhur miliarda e miliarda euro dhe tani së fundmi bllokoi drejtësinë.
Ne jemi të bindur se në këtë mënyrë ne jemi interpretë të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre, por që jetojnë me mundin dhe djersën e tyre. Kështu që, beteja vazhdon edhe më e fuqishme, do të përhapet, do të njohë nivele të reja.
Nuk ka më paqe dhe stabilitet për hajdutët, për narkozyrtarët shqiptarë gjer me rikthimin e votës së lirë, shtetit ligjor.



