Disa dosje të zbuluara në Argjentinë kanë zbardhur emrat e 12 mijë nazistëve që jetuan atje në vitet 1930 dhe që kishin shumë llogari në bankat zvicerane.
Qendra “Simon Wiesenthal” me qendër në SHBA, e njohur për gjurmimin e nazistëve, i ka kërkuar Credit Suisse të identifikojë llogaritë e harruara bankare.
Ky institucion beson se këto llogari të harruara mbajnë shuma parash të grabitura nga viktimat hebreje.
Dosjet u gjetën në dhomën e një dyqani, i cili ka shërbyer si një ish-seli naziste në Buenos Aires.
Gjermania naziste nisi rrëmbimin e pronave të hebrejve pas miratimit të ligjit racist në vitin 1935, ku një pjesë shumë e madhe e pasurisë së tyre u grabit gjatë periudhës së Holokaustit në vitet 1940.
Pjesa më e madhe e asaj pasurie u transferua në llogaritë sekrete në bankat zvicerane.
Përmes një deklarate në faqen e saj të internetit, qendra thotë se shumë prej nazistëve të listuar në dosjet e gjetura në Argjentinë, “kontribuan në një ose më shumë llogari bankare në Schëeizerische Kreditanstalt, e cila më vonë u emërtua banka Credit Suisse.
Argjentina, rreth viteve 1930-1938, kishte një regjim ushtarak pro-nazist, i udhëhequr nga Presidenti Jose Felix Uriburu, i vetëquajtur “Von Pepe”.
Lista u zbulua nga një komision i posaçëm, i ngritur nën presidencën anti-naziste të udhëhequr nga Roberto Ortiz, i cili drejtoi vendin nga viti 1938. Komisioni kishte bastisur zyrat e Unionit Gjerman të Sindikatave.
Ishte viti 1943, ku një grusht ushtarak risolli në pushtet një regjim pro-nazist në Buenos Aires, ndërsa gjetjet e komisionit u dogjën. Mirëpo, kohët e fundit, një hetues argjentinas, i quajtur Pedro Filipuzzi, zbuloi një kopje origjinale, ku rendiste në rend analfabetik emrat e 12 mijë nazistëve.
Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve AFP, Credit Suisse, deklaroi se bashkëpunoi gjatë hetimit Volcker në vitet ’97-’99 për të zbuluar llogaritë në bankat zvicerane që i përkisnin viktimave të përsekutimit nazist.
Megjithatë, Credit Suisse, deklaroi se do ta shqyrtojë edhe njëherë tjetër këtë çështje.
Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, disa vende të Amerikës së Jugut, përfshirë Argjentinën, u konsideruan një strehë e sigurt për nazistët, pasi këto vende drejtoheshin nga diktatorë fashistë.
Disa nga kriminelët nazist më të kërkuar të luftës, gjetën shpëtim në Amerikën e Jugut, përfshirë këtu edhe Adolf Eichmann, një organizator kryesor i Holokaustit.
Eichmann u rrëmbye nga agjentët izraelitë në Argjentinë në vitin 1960, ndërsa dy vite më pas u dënua me varje si një kriminel lufte gjatë një gjyqi historik në Jeruzalem./BBC



