Bashkia e Tiranës ka nderuar aktorin e mirënjohur, Luftar Paja, me titullin “Simbol i Qytetit” në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në teatër dhe në film. Ky vlerësim vjen në 75-vjetorin e lindjes së aktorit të njohur të skenës dhe ekranit. Kryebashkiaku Erjon Veliaj tha se Luftar Paja mbetet shembulli i njeriut që punon me ndershmëri e sakrificë.
“Nëse ka një shembull që përshkuan më mirë se çfarë do të thotë t’i bësh gjërat me ndershmëri, sakrificë, punë, duke u rrëzuar, duke u ngritur, 700 role në CV, dhe besoj që është në nderin e qytetit tonë, të të konsiderojë simbol të qytetit. Të falënderojmë me gjithë zemër për gjithë frymëzimin dhe dashurinë që na ke dhuruar”, tha Veliaj.
Ndërsa Paja, duke mos i fshehur emocionet, u shpreh: Ndihem tepër i vlerësuar për nderin që m’u bë. Po ashtu, ndihem edhe shumë i emocionuar sepse ma jep këtë dekoratë një njeri, i cili është një talent, është një njeri vital që po ia kthen faqen Tiranës sonë të bukur. Prandaj, të uroj gjithë të mirat! Vazhdo kështu siç e ke, dhe ne, mua me shokët e mi, do të na kesh deri në frymën e fundit. Suksese gjithë stafit tënd dhe paçi gjithmonë mrekullira dhe bukurira!



