
Organizata Freedom House ka arritur në përfundimin se një numër i madh udheqësish në Evropën Qendrore dhe Lindore as nuk përpiqen të pretendojnë se po luajnë sipas rregullave demokratike.
Sipas raportit të përvitshëm “Vendet në Tranzicion” që u bë publik të mërkurën, disa nga vendet e Ballkanit shënuan rënie në nivelin e demokracisë gjatë vitit 2019, krahasuar me një vit më herët, përfshirë Shqipërinë. Kosova shënoi rritje, por zhvillimet e këtij viti lënë shkas për shqetësim. Organizata thotë se pandemia e koronavirusit përbën një pikë kthese që mund të thellojë rënien ose të rigjallërojë demokracinë.
Në zonën me 29 vende që mbulon raporti Vendet në Tranzicion, numri i demokracive është më i ulëti në historinë 25 vjeçare të tij. Michael Smeltzer, analist kërkimor i raportit Vendet në Tranzicion, thotë se përfundimet e këtij viti janë vërtet shkurajuese.
“Ne arritëm në përfundimin se udhëheqësit dhe politikanët në rajon, po heqin dorë edhe nga fasada e demokracisë. Kjo do të thotë që maskat janë hequr. Udhëheqësit dhe politikanët nuk po fshihen më as pas respektimit formal të demokracisë, duke sulmuar hapur institucionet demokratike”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Ai thotë se shpërbërja e këtij konsensusi demokratik është më e qartë në Evropën Qendrore dhe në Ballkan.
Rënia në Balkan ndodhi për shkak të tri vendeve: Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
Shqipëria rënie në qeverisje demokratike dhe proces zgjedhor
Shqipëria që edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, shënoi rënie në qeverisjen demokratike dhe procesin zgjedhor. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti, Shqipëria nga 3.89 pikë që kishte një vit më herët, këtë radhë kishte 3.82 pikë.



