
Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak e ka vlerësuar të vështirë dhe me shumë pak progres takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Lajçak, që së bashku me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Joseph Borrell, ishin pjesë e këtij takimi, tha se dy delegacionet diskutuan disa propozime konkrete, mirëpo rezultati i vetëm që mund të raportojë është se dialogu do të vazhdojë.
Palët ranë dakord që negociatorët kryesorë do të zhvillojnë takime mbi baza mujore, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet aktuale dhe për të përgatitur takime të nivelit të lartë kur është e përshtatshme.
Takimi u zhvillua vetëm një muaj pas takimit të tyre të parë në kuadër të dialogut këtu në Bruksel. Takimi ishte i vështirë dhe demonstroi qasje shumë të ndryshme të të dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si pasojë, ne arritëm shumë pak progres sot. U diskutuan disa propozime konkrete, mirëpo rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë. Për më tepër, të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen përsëri në shtator. Për ne, Bashkimin Evropian, është e rëndësishme të nënvizojmë se e ardhmja evropiane për Serbinë dhe Kosovën varet nga normalizimi i marrëdhënieve të tyre.
Kujtojmë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në mars të vitit 2011, fillimisht në nivel teknik. Beogradi zyrtar insiston që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi.



