Kreu i shoqatës së operatorëve turistik, Zak Topuzi për shpalljen nga qeveria të 11 zonave me përparësi të turizmit malor, ngre shqetësim për mungesën e infrastrukturës.
Nga studio e “MCN Economy”, ai deklaroi se jemi të fundit në rajon për investimet në turizmin dimëror, mungon infrastruktura dhe se zona turistike si Thethi dhe Valbona kanë ndërprerje të energjisë elektrike.
Sipas tij, të prekësh zona që janë të mbrojtura apo zona autentike, kërkon studime të mirëfillta.
Topuzi shtoi se, nuk mund të japësh projektin, ndërkohë që shteti nuk ka bërë infrastrukturën gati.
Jemi të fundit në rajon për investimet në turizmin dimëror, nuk kemi përgatitur as infrastrukturën e gatshme për këtë punë, zona turistike si Thethi dhe Valbona kanë ndërprerje energjetike.
Kemi konkurrencë shumë të fortë, pasi Kosova atë ka sektorin kryesor në turizëm, është kompletuar me pista. Mali i Zi është shumë përpara, janë gati pesë resorte që konkurrojnë denjësisht në Mesdhe dhe Europë, duhet të marrim një hap të rëndësishëm, për të konkurruar seriozisht.
Ideja është shumë e mirë, por para se të ndërmerren hapat, duhet të kishte një strategji dhe masterplan për zhvillimin e zonave malore. Bashkitë dhe komunat nuk kanë kapacitete për të bërë këtë lloj pune. Të prekësh zona që janë të mbrojtura, zona autentike, do studime të mirëfillta.
Nuk mund të japësh projektin, ndërkohë që ti si shtet nuk ke bërë infrastrukturën gati. Është një iniciativë shumë pozitive, por nuk jemi gati dhe rrezikojmë që edhe zonën e maleve ta kthejmë në një golemizim të dytë.
Turizmi dimëror është turizëm luksi, ka kosto të lartë, nuk mund të shkosh me atlete dhe pantallona xhins. Shteti ka për detyrë të bëjë gati destinacionin dhe pastaj ti mund të ndërtosh elementë të tjerë shtesë.
Nuk mund të mbahet një objekt me një të shtunë apo një të diel, duhet të kesh funksion gjatë gjithë javës.



