Një ngjarje tragjike raportohet në afërsi të kalimit kufitar të Kakavijës, në Bularat.
Një ambulancë ka përplasur për vdekje një fëmijë 10 vjeç i cili ka tentuar të kalojë rrugën në krahun tjetër të rrugës. Familjarët kanë qenë në automjetet e tyre kurse 10-vjeçari, një djalë me inicialet S.N., nga Lezha, ka qenë në anën tjetër të rrugës. Kur ka tentuar të kalojë rrugën për të shkuar te familja, ai është përplasur nga ambulanca që udhëtonte me shpejtësi.
Ambulanca mori një person që ishte ndjerë keq por në nxitim e sipër ka përplasur të miturin i cili ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda.
Fëmija ka qenë në radhë me familjen në pritje për të kaluar pikën doganore e për të hyrë në Greqi.
Njoftimi i policisë
Aksidenti ndodhi në orën 10:30 të ditës së sotme, e sipas bluve, “një autoambulancë që po transportonte një shtetase të sëmurë për në spitalin rajonal Gjirokastër, ka përplasur këmbësorin për vdekje 10 vjeçarin”.
“Drejtuesi i ambulancës është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, ndërsa shtetasja e sëmurë është transportuar me makinë policie drejt spitalit rajonal Gjirokastër”.



