Miliona lekë shpenzohen çdo vit për menaxhimin, mirëmbajtjen dhe ndërhyrjet në basenet ujore, por pamjet që sjellim nga lumenjtë Ishëm, Tiranë, Erzen dhe Shkumbin tregojnë një realitet krejt tjetër.
Mbetje të shumta, inerte dhe ndotjet shoqërojnë shtratin e lumenjve deri në grykëderdhje. Në territorin e Bashkisë Krujë, pranë lumit Ishëm, situata është e rënduar. Nga shtrati i lumit deri në derdhjen në detin Adriatik, mbetjet janë të pranishme në kilometra të tëra.
Xhadat iu drejtua Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore për të mësuar se cilat janë projektet dhe fondet e investuara për rehabilitimin e lumit Ishëm gjatë viteve 2022–2026.
AMBU konfirmoi ekzistencën e Planit të Menaxhimit të basenit të Ishmit, ndërsa për monitorimin e cilësisë së ujit referoi Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
Megjithatë, përgjigjja nuk shoqërohej me një listë konkrete projektesh, fondesh apo subjektesh zbatuese. Bashkia Tiranë nuk mban një qëndrim zyrtar, por na referon sërish te AMBU.
Përgjigje nuk kanë kthyer as Bashkia Krujë dhe Bashkia Vorë. Por ndotja nuk ndalet te lumi. Ndërsa, kilometrat e brezit të rërës në detin Adriatik janë të mbushura me mbetje të ndryshme, të sjella nga lumi dhe deti.
Për të kaluar në anën tjetër të lumit, ekipit tonë i duhet të ndjekë një rrugë alternative që zgjat rreth 60 minuta dhe kërkon një automjet 4x4. Mungesa e urës ka bërë që kjo zonë të mbetet thuajse e paaksesueshme dhe, bashkë me të, edhe mbetjet të fshihen larg syve të publikut.
Në fund, përgjigjja e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit ngre edhe më shumë pikëpyetje. Institucioni ia atribuon përgjegjësinë për pastrimin pushtetit vendor, ndërsa pushteti vendor thotë se përgjegjësia i takon agjencive shtetërore.
Përgjegjësia kalon nga një institucion te tjetri. Ndërsa fondet shpenzohen, plehrat mbeten jetimë dhe masakra mjedisore vazhdon të zgjerohet.



