Malazezët i janë drejtuar kutive të votimit këtë të diel për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Në një lidhje Skype, gazetari Bekim Çoba tha se ka pjesëmarrje të ulët të votuesve nga zonat me shumicë shqiptare.
Pjesëmarrja ku jetojnë shqiptarët ka qenë e ulët, në Ulqin e Tuz rreth 20%.
Presidenti aktual është ndër favoritët kryesorë. Këtu tani më shumë diskutohet kush do të jetë kandidati tjetër për t’u përballur me të. Ekziston një mendim që nëse Gjukanoviç përballet me kandidatin e Frontit Demokratik do ta ketë mjaft të lehtë fitore.
Balotazhi mbahet me 2 prill. Zgjedhjet parlamentare janë shpallur më 11 qershor. Ato mund të anulohen vetëm me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Maxhoranca ka çuar atje një kërkesë për të vlerësuar kushtetueshmërinë e vendimit të kreut të shtetit. Disa subjekte politike duan zgjedhje të jashtëzakonshme.
Çoba tha më tej se vendimi i Gjukanoviç për të kandiduar ka qenë i sforcuar dhe dështimi në këto zgjedhje do të shënonte fundin e karrierës së tij politike.
Gjukanoviç është në një pozitë në të cilën nuk është ndodhur më herët. Është i detyruar të marrë veprime që nuk varen nga ai, por nga rrethana të tjera. Kandidatura për president është njëra prej tyre. Ka qenë një vendim i sforcuar dhe jo dëshirë e tij. Duke qenë së partia e tij nuk ka pasur një kandidat, atëherë është detyruar të dalë vetë. Në lojë është edhe imazhi i tij, pasi humbja do të shënonte fundin e karrierës së tij politike.



