Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka folur në MCN Live për protestën qytetare që po zhvillohet prej 33 ditësh para Kryeministrisë, si dhe për tensionet e fundit të raportuara para Kuvendit dhe përplasjet me policinë.
Sipas Balliut, protesta duhet të ruajë karakterin e saj qytetar dhe të distancohet nga individët që, sipas tij, kërkojnë ta përdorin atë për përfitime politike apo personale.
Protesta duhet pastruar nga individë që kërkojnë të shkojnë aty për të marrë ndonjë kredo. Një njeri nëse vjen në mbështetje, vjen dhe kaq. Por këto janë filma të partickave dhe sulmet ndaj mediave që ndodhin rast pas rasti nuk janë protestuesit, por 2–3 individë. Prandaj s’mund të bësh pis miliona qytetarë që janë mbledhur aty për 33 ditë rresht.
Ai theksoi se protesta, sipas tij, nuk i përket një force politike, por qytetarëve, duke shtuar se opozita nuk ka pasur rol drejtues për të mos e politizuar atë.
Ne nuk jemi përfshirë në protestë që në ditët e para, sepse ajo do merrej nga PD dhe nuk donim ta dëmtonim. Nuk donim që aty të mos ishin të gjithë ata qytetarë. Tani ne jemi ndjekës, nuk kemi rol as propagandistik. Roli ynë është si qytetarë, aty s’kemi asnjë të drejtë të veçantë; është protestë e Shqipërisë, jo e ndonjë partie.
Duke komentuar incidentet dhe përplasjet me policinë, Balliu ngriti akuza për tejkalim të forcës dhe mungesë kujdesi ndaj të ndaluarve.
Patjetër që do shkoja te komisariati ku janë arrestuar protestuesit. Një njeri nëse vjen në mbështetje, vjen dhe kaq… Të qëllosh deputetët me vezë nuk është dhunë. Djali që po merrte biçikletën dhe e godasin, këto janë eufori të patronazhistëve me uniformë.
Ai shtoi gjithashtu se disa nga të ndaluarit, sipas tij, kanë qenë të dëmtuar dhe kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore.
Dy-tre nga protestuesit e ndaluar kanë qenë të dëmtuar dhe kishin nevojë për spital. Një nga të ndaluarit, një inxhinier i ardhur nga Gjermania, është dhunuar në furgonin e policisë, i veshur civil është goditur mbi 20 herë në fytyrë. Kjo ngjarje ka ndodhur dhe duhet të mbajnë përgjegjësi.
Në vijim të deklaratës së tij, deputeti i PD foli edhe për akuzat politike dhe për atë që ai e konsideron ndarje mes policisë së shtetit dhe asaj të kontrolluar politikisht.
Sot kemi polici shteti dhe polici pushteti. Fatkeqësisht komandën sot e ka policia e pushtetit”, u shpreh ai.
Balliu theksoi gjithashtu se protesta lidhet me çështje konkrete ligjore dhe mjedisore, duke përmendur edhe paketën e maleve dhe ligjin për zonat e mbrojtura, të cilat sipas tij kanë sjellë reagim qytetar.
Nuk jemi kundër kauzës që ata kanë. Për paketën e maleve dhe ligjin e zonave të mbrojtura kemi kërkuar ndryshime dhe e shohim si gjënë më minimale. Shqetësimet që kemi ngritur kanë bërë efekt.
Në përfundim, Balliu ritheksoi se protesta mbetet, sipas tij, një lëvizje qytetare dhe jo partiake, ndërsa opozita qëndron në mbështetje pa e dominuar atë.



