
“Britania e Madhe do të vendosë menjëherë më shumë sanksione kundër Rusisë, duke i ndaluar subjektet britanike të kryejnë transaksione financiare që përfshijnë Bankën Qendrore Ruse, Fondin Kombëtar të Pasurisë Ruse dhe Ministrinë e saj të Financave”, thuhet në një deklaratë të qeverisë.
Masat e miratuara në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, do të parandalojnë Bankën Qendrore Ruse “nga vendosja e rezervave të saj valutore në mënyra që minojnë ndikimin e sanksioneve të vendosura” nga Britania e Madhe dhe aleatët e saj dhe do të “zvogëlojnë aftësinë e saj që të angazhohen në transaksione të këmbimit valutor për të mbështetur rublën ruse”, thuhet në deklaratë.
Veprimi ndëshkues i së hënës vjen pas sanksioneve të mëparshme britanike kundër anëtarëve të Parlamentit rus që votuan në favor të njohjes së pavarësisë së dy republikave separatiste pro-Moskës në Ukrainën lindore, dhe një sërë masash të mëparshme kundër pesë bankave ruse dhe tre individëve të pasur, njoftoi kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson.
“Paketa jonë e sanksioneve, parashikon masat më të forta ekonomike që Britania e Madhe ka miratuar ndonjëherë kundër Rusisë, do të shkaktojë pasoja shkatërruese për Presidentin Vladimir Putin dhe Rusinë”, thuhet në deklaratë.



