Koalicioni qeverisës në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është afër për t’u lidhur. Kështu së paku kanë deklaruar krerët e të dyja partive, të cilët theksojnë se në takimin e gjatë të djeshëm ka pasur përafrim të qëndrimeve në kuadër të arritjes së marrëveshjes bashkëqeverisëse.
Sipas të gjitha gjasave, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur pajtueshmëri për të bashkëqeverisur, shkruajnë mediat në Kosovë
LDK do t’i ketë 6 ministri:
Ministria e Jashtme, e Integrimit Europian dhe Diasporës
Ministria e Brendshme, e Administratës publike dhe Pushtetit Lokal
Ministria e Arsimit dhe Kulturës
Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 4 ministri:
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Financave dhe Transfereve
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë
Ministria e Shëndetësisë dhe Sportit
LDK-ja do ta ketë të drejtën për ta propozuar kandidatin për Presidentin e Kosovës, i cili do të përkrahet nga Lëvizja VETËVENDOSJE!
Glauk Konjufca do të mbetet Kryetar i Parlamentit.
Vjosa Osmani do të mund të zgjidhet Ministre e Punëve të Jashtme, ose Zëvendëskryeministre e parë.
Por kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, do të vazhdojnë edhe sot takimin, për të tretën ditë radhazi në përpjekje për të arritur marrëveshjen finale për bashkëqeverisje.
Lideri i LVV-së, të martën pas mbledhjes së Kryesisë së LVV dhe para takimit me Isa Mustafën theksoi se deklaroi se pas rifillimit të bisedimeve me LDK-në, proceset do të ecin shpejt, pasi që edhe ashtu marrëveshja siç tha ai është shumë afër.
“Mundësitë janë, dhe shpresoj që tash pasi kanë rifilluar bisedimet edhe do të shkojmë me shpejtësi drejt arritjes së marrëveshjes e cila edhe ashtu është shumë afër”, tha Kurti.
Edhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje ka lëvizje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Sagës së koalicionit VV-LDK duket se i ka ardhur fundi.



