Analisti Sami Neza duke folur në Mcn Live theksoi që Partia Demokratike duhet të dalë nga pozicioni i mbrojtjes përballë qeverisë, duke krijuar një mekanizëm ku hajdutëria s’funksionon më. Neza tha që protesta ishte e mirë, por problemi më i madh është distanca mes PD-së dhe zonës gri. Sipas analistit në protestë duhet të përfshiheshin edhe partitë e reja, ku secila të mbante logon e forcës politike që përfaqëson.
“Protesta e PD ishte e mirë, pjesëmarrja ishte e kënaqshme. Duhet hequr dorë nga mendimi se qeveritë rrëzohen nga protestat. Kjo është pritshmëri krejt naive, që s’është e vërtetë dhe s’ka për të qenë e vërtetë. PD në mënyrë të panevojshme ende vazhdon të luajë në mbrojtje. PD duhet të dalë nga ky lloj pozicioni. Duhet të shkojë te një pozicion krejt tjetër, që mund të funksiononte si demokraci brenda PD-së, hapje e saj, dhe krijimi një fronti të gjerë ku të gjesh një mekanizëm ku hajduti s’funksionon më. Edhe ideja që mund të luajë me qeveri në hije mund të jetë një opsion. Thotë kjo është fytyra ime. Megjithatë s’e shoh këtë si problem të madh. Problemi më i madh është distanca mes PD-së dhe zonës gri, ajo distancë është okupuar nga diskursi që prodhohet jo vetëm nga qeveria, por edhe ato parti që janë kundër qeverisë, por s’e pëlqejnë PD-në. Nëse në protestën e pardjeshme do ishin përfshirë të gjitha partitë e opozitës, me flamujt e secilës parti...Logjika NGO-iste që të rrimë larg partive dhe të protestojmë në Shqipëri s’funksionon”.
Lidhur me debatin Noka-Salianji, Neza tha:
“Është një debat që lind në PD për shkak të konkurrencës dhe debateve të brendshme të kësaj partie. Historia me Salianjin është një histori që deri diku po teston funksionimin e hapësirave brenda PD-së, hapësirat për debat dhe të mekanizmit politik në përgjithësi. Debati midis Salianjit dhe Nokës po shtyhet artificialisht përpara dhe s’ka të bëjë me nevojat për debat të PD-së, atë nevojë që Salianji i ka dhënë shtytje me takimet e tij, por që edhe PD e ka pasur në vëmendje për ta zhvilluar si debat edhe përmes foltoreve të Berishës. Ky debat s’do jetë dobiprurës as për Salianjin, as për Nokën, por qoftë për PD-në. Mua më duket një debat anormal. Të dilet prej kësaj se ky lloj debati konsumohet së brendshmi, s’arrin të ndërtojë qeliza te zona e pushtetit dhe të krijojë flukse anti-qeveritare”.



