
Në ditën e zgjedhjeve presidenciale amerikane, mijëra emigrantë u larguan nga Meksika në përpjekje për të arritur kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përpara shpalljes zyrtare të fituesit mes Donald Trump dhe Kamala Harris në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Sipas aktivistëve, sqaron agjencia Dpa, janë dy grupe nga qytetet Tapachula dhe Tuxtla Gutierrez, në shtetin Chiapas, për një total prej 3000 personash, përfshirë familjet me fëmijë që u larguan drejt SHBA në ditën e zgjedhjeve presidenciale.
Migrimi është një temë kyçe në zgjedhjet presidenciale në SHBA, ku kandidati republikan Donald Trump, veçanërisht i zëshëm për çështjen e kufirit shpesh bën komente nënçmuese për emigrantët, duke i quajtur ata “kriminelë” dhe “përdhunues”, duke kërkuar dënimin me vdekje për çdo emigrant që vret një shtetas amerikan ose oficer policie.
Kandidatja demokrate Kamala Harris, nga ana e saj, premtoi se do të punojë si presidente për të mbrojtur kufirin dhe për të rregulluar “ sistemin e prishur të emigracionit” .
“Sot është një ditë e rëndësishme sepse do të dimë se kush do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë”, tha Irineo Mujica i organizatës “Pueblo sin Fronteras” (Njerëz pa Kufij).
Mujica tha se fitorja zgjedhore e Trump ose Harris do të kishte ndikime të ndryshme, por të dy do të kishin përgjegjësinë për të adresuar flukset e migracionit.
Shumë njerëz, duke ikur nga varfëria, dhuna dhe krizat politike në vendlindjet e tyre, zgjedhin rrugën përtej kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara.
Shumë prej tyre vijnë nga vendet e Amerikës së Jugut dhe qindra vdesin çdo vit në rrugën e rrezikshme të veriut, shpesh për shkak të mungesës së ujit dhe goditjes së nxehtësisë.
Të tjerët janë viktima të bandave kriminale.



