Deputetja demokrate Dhurata Çupi e ftuar në studion e Të ‘Pa ekspozuarit’ në MCN TV ka komentuar lidhur me negociatat mes grupit të Alibeajt me Berishën për të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhjet vendore.
Ajo tha se në mbledhje është dalë me një vendim të përbashkët që të përcillet mesazhi i bashkimit. Sipas saj duhet vullnet politik dhe se ky vendim për të është i vonuar.
Isha në mbledhje dhe ishte një mendim i përbashkët që duhet të japim mesazhin e bashkimit për zgjedhjet vendore. Ne sot duhet të dalim me një vendim që po duhet të bashkohemi për zgjedhjet vendore. A u mandatua Bardhi për të negociuar, ishte për të biseduar për atë çfarë na ndan dhe të jemi me një kandidaturë për zgjedhjet vendore. Unë e kam ngritur si vendim që është i vonuar sepse mund ta kishim që në mbledhjen e parë të sesionit në shtator duhet ti kishim kaluar këto procedura dhe duhet të ishim sa më afër fushatës në terren.
E pyetur nëse negociatat dështojnë opozita del me dy kandidatë, Çupi tha nëse ndodh kjo i bie që Ramës ti falësh fitoren në tavolinë siç ka ndodhur në këto 8 vit.
Bardhi është mandatuar të përfaqësojë grupin tonë të deputetëve për të rënë dakord dhe nuk besoj se nuk do biem dakord, por nëse dalim me dy kandidatura i bie ti japim fitoren në tavolinë Ramës si në këto 8 vite. Duhet ti japim demokratëve sa më shumë bashki, kemi një sistem të falimentuar. Do bëjmë çmos që të jemi me një kandidaturë dhe tu kthejmë sa më shumë bashki demokratëve dhe qytetarëve. Ajo që sot u intereson demokratëve shqiptarë është rënia dakord e daljes me një kandidat të përbashkët. Primaret mua nuk më trembin, por a biem ne dakord me to meqë i ka deklaruar Berisha atëherë ne bashkohemi se jemi në familjen tonë. Duhet të bashkohemi të nxjerrim një kandidaturë, të mbështesim një kandidaturë. Mendoj se sot aktualiteti politik na detyron të jemi bashkë.
Lidhur me padinë e Alibeajt dhe vendimin e gjykatës, Çupi tha se nëse ka vullnet politikë gjithçka tjetër është dytësore.
Duhet të kemi vullnet politik për të drejtuar opozitën dhe kam përshtypjen se primare duhet të jetë pikërisht vullneti politik. Gjykata do jetë një hap i dytë që do zgjidhet dhe duhet të ketë vullnet dhe sinqeritet mes palëve. Duhet të punojmë si një palë.



