
Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka dënuar me 3 vite burg ish-deputetin e PS-së, Jurgis Çyrbja, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do qëndrojë pas hekurave vetëm 2 vite.
Ndërkohë Altin Hajri, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje dhe përkrahje e autorit të krimit, u dënua me3 vite burg dhe nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite.
Për Ahmet Mashën, i cili është nën akuzë për tregim të sekretit shtetëror dhe përkrahje e autorit të krimit, u vendos dënimi me 2 vite e 6 muaj, por përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe i ulet në 1 vit e 8 muaj burg.
Hetimet e prokurorisë së posaçme zbuluan se Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyEcc”.
SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të pandehurve në korrik të këtij viti, i cili po hetohet së bashku me Altin Hajrin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe Ahmet Mashën.
Në dosjen e SPAK thuhet se ish-deputeti Çyrbja ka pasur miqësi me Altin Hajri, duke i premtuar këtij të fundit se do ta ndihmonte në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve. Kujtojmë se Altin Hajri ka qenë në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.



