Partia e vetme në qeveri, PS, me rreth 760 mijë vota drejton sot 90 për qind të të gjithë pushtetit politik në vend. Një raport i publikuar nga Instituti i Studimeve Politike tregon se pavarësisht numrit në rënie të votave, PS aktualisht ka një rritje galopante të pushtetit të saj qëndror dhe lokal, duke krijuar një deformim thelbësor të parimit të ushtrimit të sovranitetit dhe të qeverisjes sipas nenit 1 të Kushtetutës së Republikës.

ISP publikoi tabelën e ushtrimit të pushtetit nga një parti politike prej vitit 1991 deri në vitin 2020 në Shqipëri.
Tabela tregon pushtetin që ka ushtruar një parti politike, gjithashtu edhe kalkulimin në përqindje të pushtetit të një partie në Parlament dhe njëherësh edhe në qeverisjen vendore. Bashkimi i dy niveleve të përfaqësimit, sjell të dhënat e tabelës, të cilat janë dukshëm në kontrast të thellë me përqindjen e votave të fituara nga partitë politike që kanë qeverisur Shqipërinë.
“Për shembull, me rreth 1.2 milion vota PPSH më 1991 drejtoi 82% të të gjithë pushtetit përfaqësues në vend, po me kaq vota PD drejtoi më 1992 vetëm 54% të pushtetit politik në vend, për shkak se zgjedhjet lokale 1992 krijuan balancë në përfaqësim. Më 1996 PD ushtroi 70% të pushtetit për shkak të kontrollit absolut parlamentar dhe ndarjes së pushtetit lokal pas tetorit 1996”, citohet nga raporti i ISP-së.
Pas tri dekadash me rreth 700-760 mijë vota, PS, drejton 90% të të gjithë pushtetit politik në vend, pra rënia e numrit të votave për partinë fituese ka sjellë rritje të madhe të pushtetit të saj qendror e lokal, duke deformuar parimin e ushtrimit të sovranitetit dhe të qeverisjes në nenin 1 të Kushtetutës së Republikës.



