Kontrollet intensive të policisë në territorin e Kurbinit dhe Mirditës kanë çuar në goditjen e tre rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, pas operacioneve të zhvilluara nga toka dhe ajri, përmes përdorimit të dronëve.
Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe verifikimet në terren, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë kanë identifikuar tre parcela të kultivuara me bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë tre shtetas, ndërsa u asgjësuan gjithsej 436 bimë narkotike.
Në fshatin Sheshaj, Mirditë, shërbimet e policisë arrestuan shtetasin Jetmir Rrucaj, 21 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke u kujdesur për 222 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa të kultivuara në këtë zonë.
Ndërkohë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Komisariatit të Policisë Kurbin, arrestuan shtetasin Dritan Nikolli, 47 vjeç, banues në Fshat Laç, Kurbin. Gjatë kontrollit, ai u kap duke u kujdesur për 151 bimë të dyshuara narkotike.
Rasti i tretë u godit në lagjen “Rrahu i Pashës”, Laç, ku specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan shtetasen Vosava Mercina, 44 vjeçe. Në këtë zonë u gjetën 63 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, për të cilat dyshohet se kujdesej ajo.
Bimët narkotike të sekuestruara u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.



