Po të martën çfarë ka?!

Po të martën çfarë ka?!

Nga Denis Dyrnjaja

Nesër opozita proteston. Prej ditësh flitet për këtë. Do jetë një protestë paqësore apo me nota imponuese ku mund të ketë edhe akte simbolike force për të shprehur dufin e pakënaqësisë?! Berisha thotë se nuk do ketë dhunë, por edhe gudulisje nuk do të jetë. Meta flet për një protestë model qytetarie. Rama e cilëson protesta e rublave duke u përpjekur ta njësojë axhendën e opozitës me atë të një vendi jo mik, sikurse e cilësojnë Rusinë. E gjitha retorikë politike. Edhe ata e dinë që nuk e rrëzojnë dot Ramën me këtë protestë e me shumë protesta si kjo, edhe Rama e di se në PD nuk kanë nevojë për 500 mijë euro nga Rusia për t'u bërë pis se kanë shumë miliona në valixhet e mbyllura nga pushteti i 8 viteve (2005-2013). Media, ajo televizive dhe online, kërkon lajmin aty ku s’ka lajm për nesër.

Rendje për të prodhuar në mënyrë të sforcuar lajm, kur lajm s’ka. Të hënën, ish-deputetja e PD-së, Grida Duma, nis një emision televiziv. Ky fakt ka marrë vëmendje mediatike thuajse sa pritshmëritë për protestën e opozitës. Pse kjo lëvizje?! Një zgjedhje personale apo një lakmus se gjërat në PD nuk janë aq optimiste sa ç'janë pritshmëritë. Ndoshta kjo s’ka lidhje, por është zgjedhje krejt personale e znj. Duma për një eksperiencë të ndryshme afër habitatit të saj personal, por të natyrshëm, komunikimit dhe marrëdhënies me publikun. Mesa duket, një thirrje e brendshme e saj për të ridimensonuar veten. Monika Kryemadhi tha se kjo lëvizje e një gruaje të afirmuar si Grida vjen për të përballuar faturën e dritave. Autogol i padëshiruar në fushën e znj. Duma.

Sigurisht, këtë s’e beson as vetë znj. Kryemadhi, ndërkohë znj.Duma ky status nuk i konvenon me realitetin personal. Për hir të miqësisë nuk do ta replikojë e përgënjeshtrojë se lëvizja nuk lidhet me pamundësinë e saj financiare për t'ia dalë në fund të muajit si shumë shqiptarë të pamundur, që në fakt nuk ia dalin dot me faturat e energjisë, ilaçeve, kërkesës së fëmijëve për një lodër a një argëtim më shumë, që në fakt nuk është as luks, por normalitet. E meqë jemi te fundjava e protestës e fillimjava e emisionit dhe angazhimit të ri mediatik të znj, Grida Duma të hënën, pyetja që vjen natyrshëm është: po të martën çfarë do ndodhë?! A do të ndryshojë diçka në ditën dhe jetën e shqiptarëve?!

Çfarë ndodh me një minator në Bulqizë, me përditshmërinë e tij, çfarë ndodh me një mësues që shkon në një fshat të thellë të Librazhdit, me një polic rrugor që mund ta rraskapisë dielli e shiu në Qafë të Muzinës, apo me një infermier që punon 12 orë në një spital privat me idenë fikse të mësojë sa më parë gjermanisht për të ikur në Berlin, Hamburg a Frankfurt kur e pret një pagë dinjitoze. Asgjë nga këto me gjasë nuk do ndryshojë në përditshmërinë e shqiptarëve që presin gomonen e radhës për në Angli. Pra fundjava dhe fillimjava ngjajnë si ato kalatë e rërës në plazh që i projekton bukur, i realizon shkëlqyer dhe një valë deti i rrëzon menjëherë rrëmbyer. Shqiptarët duan më shumë se kaq. Duan një mundësitë që mos jenë në sprovën e valës së detit, e cila në çdo rast e rrëzon kalanë e gënjeshtërt mediatike e politike.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy