Analisti Ben Andoni tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se sot ishte mundësia që ish-Presidenti Ilir Meta të lirohej dhe se procedura e gjatë ndaj tij tashmë është e tepëruar. Po ashtu ai mendon se drejtësia duhet të vendoste një standard edhe në raport me Erion Veliajn.
“Sot ishte mundësia që z.Meta duhet të lirohej, dhe të vazhdonte procedura me të i lirë, për shkak se e gjithë problematika, dhe gjithë pesha penale që ai ka, nuk është se përballet me dëshmitarë, ose të ketë mundësi të ndryshojë dëshmitë dhe të dhënat. Mendoj që është e tepëruar tashmë pa paragjykuar pjesën që personalisht kam për z.Meta për kohën kur ka qenë President. Këto procedura kaq të gjata tregojnë në një farë mënyrë që pushteti ynë i drejtësisë duhet të vendosë disa standarde, sepse nëse ushtrohet në këtë mënyrë me një President, mund ta llogarisni si ushtrohet me një njeri të zakonshëm.
Z.Veliaj ka përballë një masë që duhet ta përgatisë për një përballje shumë të gjatë me drejtësinë. Unë veçoj psh. atë firmën që ai ka për inceneratorët. Në rastin e z.Meta problemi është shumë i komplikuar, për shkak të gjithë asaj që e lidh me ish-bashkëshorten e tij.
Drejtësia duhet të vendoste një standard dhe të ishte më e shpejtë në aksionin procedurial ndaj tyre. Vazhdon një lloj telenovele me masat e sigurisë. Të dy si z.Meta dhe z.Veliaj tashmë duhet të heqin dorë nga kërkesa për heqjen e masës dhe të përballen me sa më shumë dinjitet me drejtësinë. Sepse kanë lënë shumë për të dëshiruar përballë drejtësisë”.
Duke folur mbi takimin e kryeministrit Rama me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Andoni tha:
“Qeverisja e sotme e z.Rama ka nevojë të ethshme për investimet e tyre (Emirateve të Bashkuara Arabe). Një pjesë e madhe infrastrukturore në vendin tonë ka ngelur, kanë ngelur disa segmente, ndërkohë që paraja e një vendi të fuqishëm si Emiratet zë një vend të jashtëzakonshëm. Z.Rama do të shpëtojë gjithë peshën e premtimeve me një miqësi të tillë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të kesh veçime të miqve strategjikë. Si PS dhe PD kur vjen puna te investimet e huaja janë shumë të etur. Duhet të krijosh klimë biznesi të mirë dhe vende si Emiratet s’pyesin për klimën e investimeve. Ardhja e kreut të Emirateve bëhet në atë mënyrë si shteti ynë lëviz gati pa planifikuar, pa vizione të qarta”.



