
Kanali informativ Hir TV, një zë shumë kritik ndaj qeverisë së Budapestit, është vënë nën kontrollin e kësaj të fundit, pasi kompania u ble nga një mik i afërt i kryeministrit Viktor Orban, oligarku Zsolt Nyerges.
Pronari i ri u paraqit në zyrat e televizionit i shoqëruar nga drejtuesit e rinj, të gjithë të emëruar prej tij, para stafit të vjetër prej 250 personash (gazetarë, moderatorë dhe staf teknik). Këtyre të fundit iu la një orë kohë për të vendosur nëse ishin dakord me linjën e re editoriale të televizionit, të imponuar nga miku besnik i kryeministrit Orban.
Në thelb, zgjedhja ishte mes largimit nga puna ose pranimit për të ndjekur rregullat e reja për prodhimin e programeve tani e tutje në mbështetje të qeverisë.
Pothuajse gjysma e gazetarëve zgjodhën të largoheshin.
Kontrolli i mediave nga ana e kryeministrit Orban në Hungari është pothuajse total. Tashmë vetëm një televizion ka fuqinë të kritikojë qeverinë hungareze dhe ai është një televizion komercial. RTL, në pronësi të gjermanes Bertelsmann, ka disa edicione informative.



