Një 40-vjeçar shqiptar është arrestuar në Monza të Italisë pasi ka përdhunuar 3 vajza të reja, duke i kërcënuar me publikimin e fotove intime.
Policia ra në gjurmët e tij falë rrëfimit të një prej vajzave, e cila nuk duroi dot më presionin dhe i tregoi gjithçka nënës së saj. Sipas gazetës italiane “Il Giorno”, ai kishte ngritur një skemë të vërtetë mashtrimi, me anë të cilës i fuste fillimisht në kurth vajzat për të arritur tek qëllimi i tij. Shqiptari kishte hapur një profil fals në Facebook me emrin Emannuele, 17 vjeçar dhe përdorte foton e dikujt tjetër, një mashkulli të pashëm me fizik prej modeli. Kaq mjaftoi për të futur në kurth vajzat e reja, shkruan BW.
Fillimisht i joshte që t’i dërgonin foto intime dhe më pas i kërcënonte, i torturonte psikologjikisht dhe në pak kohë i detyronte të kryenin marrëdhënie seksuale, në mënyrë që të mos i publikonte fotot. 40–vjeçarit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte pa leje qëndrimi në Itali. Ai ishte arrestuar edhe më parë për dhunë seksuale ndaj një vajze në Solaro.
Në mars të 2016–ës ishte zbuluar dhe arrestuar për dhunë dhe materiale pedopornografike, ndërsa tashmë, hetimet e gjykatës së Monza-s dhe Milanos kanë arritur të identifikojnë edhe 3 raste të tjera. Një vajzë 17–vjeçare, e cila jetonte në Napoli, është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale të paktën 3 herë. Një tjetër vajzë në Cesano është përdhunuar dy herë, në kohën kur ishte ende minorene. Viktima tjetër ishte një vajzë 21-vjeçare në Milano, e detyruar gjithashtu që të kryente marrëdhënie seksuale me forcë.Në kompjuterin e tij policia gjeti më qindra foto vajzash nudo, e shumë imazhe të viktimave të tij.



