
Libanezët janë sërish në shesh për të protestuar kundër qeverisë. Të shumtë në numër, ata dolën në sheshet e Bejrutit për të demonstruar kundër pakujdesisë së autoriteteve që çoi në humbjen e 150 njerëzve dhe la të plagosur mijëra të tjerë në fillim të kësaj jave.
Autoritetet thonë se shpërthimi erdhi pjesërisht për shkak të 2 750 tonë nitrat amoniumi që rhej prej vitesh në një depo në port.
Që në momentet e para, protesta është shoqëruar me përleshje me policinë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës.
Kryqi i Kuq i Libanit tha se janë dërguar 17 ambulanca për të trajtuar të lënduarit në protestë.
Shpërthimi i së martës erdhi në një moment kur Libani ndodhet në recesionin më të keq ekonomik. Monedha libaneze ka humbur 80 përqind të vlerës së saj ndaj dollarit amerikan.
Zyrtarët e doganës libaneze pretendojnë se kanë paralajmëruar autoritetet për praninë e rezervave të materialit të rrezikshëm në port.



