
Partia Socialiste ka mbledhur sot Asamblenë Kombëtare.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar angazhimin maksimal të deputetëve dhe kryebashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit për të shkuar drejt një mandati të tretë qeverisës.
“Është koha që secili të bëjë kilometrat e vet. Sot nuk mund të ketë më deputetë që edhe në fushatën e 30 qershorit kanë shkuar te njerëzit vetëm javën e fundit. Nuk mund të ketë më anëtar të Asamblesë së PS-së që kujtohen për PS-në vetëm nga ftesa për mbledhjen e Asamblesë dhe nuk shfaqen te njerëzit. Kush nuk do të bëjë kilometrat e veta që imponon 30 qershori, do të dalë nga projekti i vitit 2021. Do të dalë jashtë nga kjo familje e madhe politike çdo kryebashkiak që do të bëjë gabimin të mendojë që tani që ka marrë mandatin, mund të bëjë pa njerëzit dhe pa ne. Revolucioni imagjinar i administratave bashkiake ishte një turp dhe u kthye në disfatë shembullore për udhëheqësit”, tha ai.
Rama ka njoftuar edhe zëvendësimin e Blerina Gjylametit si kryetare e PS-së së Tiranës me Elisa Spiropalin dhe Ervin Bushatin. Po ashtu, një ndryshim tjetër i njoftuar nga kreu i PS-së ishte edhe zëvendësimi i Ditmir Bushatit nga kryebashkiaku i ri, Valdrin Pjetri, në detyrën e drejtuesit të qarkut të Shkodrës. Një tjetër ndryshim është ai në qarkun e Lezhës, i cili nuk do të drejtohet më nga Lindita Nikolla, por nga Sandër Lleshaj.
Dy ish-krerët e qarqeve Blerina Gjylameti dhe Lindita Nikolla janë zhvendosur në detyra të reja në sekretariatin e PS-së, por nuk ka ndodhur e njëjta gjë për ish-ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.
Sekretarët e rinj
Ilir Beqja - Sekretar për Koordinimin e Këshillave Drejtues
Lindita Nikolla - sekretare për burimet njerëzore
Blerina Gjylameti - sekretare për dixhitalizimin
Sekretar për Rininë - Gent Cakaj
Sekretar për Organizimin dhe Koordinimin - Arben Pëllumbi



