
Dy pronarë lokalesh janë vënë në pranga për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit. Si rezultat i operacionit “Ticket 2″ nga Komisariati i Policisë nr. 5 janë arrestuar në flagrancë shtetasit N. P., 40 vjeç, pronar i një lokali në Paskuqan dhe K. C., 33 vjeç, pronar i një lokali në Laknas.
Ata akuzohen për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në lokalet e këtyre shtetasve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 dekodera dhe 3 aparate celulare të programuara për vendosjen e basteve sportive.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.



