Kryeministri Edi Rama udhëton më 13 korrik në Bruksel drejt selisë së NATO-s. Kreu i qeverisë pritet të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës ushtarake Jens Stoltenberg.
Sipas asaj që parashikon agjenda, pas mbledhjes, Stoltenberg dhe Rama do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Një vizitë e tillë është paralajmëruar edhe më herët nga kreu i qeverisë, ku ka sqaruar se qëllimi është për të thelluar bisedimet për bazën e NATO në Durrës.
"Së shpejti besoj që do të rikthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimin lidhur me propozimin tonë që ka ngjallur jo vetëm interes, por edhe dëshirë për të thelluar bisedimet për instalimin e një baze navale të NATO-s në portin e ri të Durrësit. Në portin e ri që do të jetë në Porto Romano dhe përveç pjesës komerciale tregtare, parashikohet që të ketë edhe një pjesë ushtarake. Së shpejti do të bëjmë një takim të posaçëm për këtë çështje me gjithë ekipin tonë të ekspertëve dhe ekspertët e aleancës për të parashtruar projektin në detaje dhe për të vijuar më tutje diskutimet”, ka bërë me dije më herët kryeministri Rama.
Aktualisht po ndërtohet baza taktike ajrore e NATO-s në Kuçovë, e cila është tërësisht financim i huaj, ndërkohë që për sa i përket portit, ajo do të financohet nga shteti shqiptar, pjesa komercale, siç vetë Rama e bëri me dije, duke sqaruar se është ftuar NATO-n, që të marrë pjesë në një bashkëfinancim për pjesën ushtarake.



