I ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV, demokrati Ervin Salianji ka hedhur akuza të forta ndaj procesit zgjedhor në Partinë Demokratike dhe rikonfirmimit të Sali Berishës në krye të selisë blu.
Salianji e cilësoi procesin një “farsë”, duke pretenduar se shifrat e pjesëmarrjes janë fryrë artificialisht. Ai deklaroi se disponon prova që, sipas tij, tregojnë mospërputhje në numrin e votuesve.
Kam marrë pjesë vetë dhe nesër do të jem në konferencë për shtyp, ku do të sjell edhe linke që tregojnë se në pesë qendra votimi ka pasur kamera. Do të shihet sa persona kanë hyrë realisht për të votuar, që janë rreth 4800 anëtarë. Ndërsa këta kanë rritur numrat, prandaj kjo është një farsë.
Ai shtoi se Berisha nuk pranon një garë reale brenda PD-së, pasi sipas tij, përballë një kandidati tjetër do të pësonte humbje.
Berisha nuk e pranon garën sepse demokratët, po të kishte një kandidat përballë tij, jo vetëm që do ta mundnin, por ai do të përsëriste rezultatin e Lulzim Bashës në vitin 2021.
Salianji kritikoi gjithashtu mënyrën sesi është drejtuar partia dhe pretendoi se janë shkelur rregullat statutore.
Për mua, Berisha ka shkelur ligjin që nuk e lejon të kandidojë dhe ka shkelur statutin duke mos lejuar kandidatët e tjerë të garojnë. Të gjitha premtimet e tij kanë rezultuar gënjeshtra.
Sipas Salianjit, Partia Demokratike ka humbur ndjeshëm mbështetjen ndër vite.
PD ka pasur 120 mijë anëtarë. Fillimisht u shkurtuan nga Basha dhe tani Berisha i ka çuar edhe më poshtë. Demokratët nuk kanë dalë të votojnë. Ata që kanë marrë pjesë janë kryesisht njerëz të moshës rreth 70 vjeç.
Në fund, Salianji ironizoi referendumin e zhvilluar nga Berisha dhe mungesën e urimeve pas fitores së tij.
Nuk e uroi askush përveç vartësve të tij. Referendumi ka rregulla. Ai referendum ishte njësoj si të marrim nga një fletë dhe të vendosim për presidentin e SHBA-së, pa asnjë vlerë.



