
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Durrësit është miratuar harta e stacioneve të plazhit për këtë sezon në të cilën është përcaktuar që 70% e parcelave të jetë për subjektet private dhe 30% në shërbim të rezidentëve të zonës.
Ardian Muka, anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se hapësirat publike të vendosura nga Bashkia janë në zona ku plazhi nuk është i mirë, apo në zonat banorët rezidentë nuk kanë akses direkt në to.
Çdo fillim viti aprovohet kjo lloj harte. Ky vit pati një risi, pasi u ndërhy gjatë gjithë vijës bregdetare të Durrësit nga kufiri më verior në plazhin e Gjirit të Lalëzit dhe deri në kufi ku Durrësi ndahet me Kavajën. Ne kundërshtuam metodologjinë e përzgjedhur nga bashkia sa i takon mënyrës si është bërë zonofikimi i stacioneve të plazheve. Metodologjia që ka përdorur bashkia është më e thjeshta e mundshme, kanë parcelizuar nga vija e ujit deri në brendësi aq sa është sipërfaqja e rërës dhe në zona të ndryshme kanë parashikuar që disa nga parcelat të jenë në përdorim nga ana e publikut. Është përcaktuar që koeficienti të jetë 70% me 30%. 70% do jetë pjesë për hotelet private dhe 30% në shërbim të rezidentëve të zonës dhe banorëve të Durrësit apo dhe turistëve ditorë.
Metodologjia sjell problemin që banorët që janë rezidentë kanë dëshirë që ta bëjnë plazhin përballë banesave që ata kanë, ndërkohë në logjikën e bashkisë së Durrësit parcelat janë lënë të stacionuara përgjatë vijës bregdetare, dhe mund të qëllojë që banori nuk del dot përpara shtëpisë, por duhet të bëjë 500 metër-1 km deri sa të shkojë te plazhi publik.
Propozuam që parcelizimi të bëhet ndryshe. Pjesa e parë e rërë t’i lihet bizneseve meqënëse zhvillojnë aktivitet ekonomik, edhe në vijën e dytë gjatë gjithë vijës bregdetare, në pjesë e pasme, 1-2 rreshta të lihen për rezidentët.
Hapësirat publike nuk janë komode, janë lënë në zona ku plazhi nuk është i mirë, apo pjesa rezidenciale apo banorët nuk kanë akses direkt. Nuk del dot nga shtëpia, por duhet të marrësh makinë për të vajtur në këtë zonë. Duke u sjellë kështu as privati, as hoteleritë nuk arrijnë të kënaqen dhe pjesa publike do të jetë e pakënaqur se duhet të spostohet shumë.
Më tej, Muka tha se bashkia nuk jep asnjë shërbim për mbetjet urbane të ngurta dhe se qytetarët apo kompanitë janë të detyruara të kontraktojnë subjektet private.
Është absurde që vazhdohet nga ana e bashkisë së Durrësit të paguhet 29 euro për ton për inceneratorin e Tiranës, për shkak se mbetjet nuk incenerohen, po trajtohen në një landfill normal ku tarifat janë të përgjysmuara, ndoshta dhe më pak.
Vijon të paguhet 29 euro për ton, por paguhet edhe transporti nga bashkia e Durrësit në drejtim të inceneratorit. Këtë bashkia e Durrësit thotë se nuk e kemi kosto se janë fonde që subvencionohen nga ana e qeverisë, por ajo që ne themi se pse këto fonde duhet të shkojnë në këto drejtime, kur mund të shfrytëzoheshin për problematikat që ka Durrësit. Jo më larg se para një jave janë paguar 613 mijë euro për inceneratorin e Tiranës për pjesën e dërgimit për incenerim të mbetjeve.
Durrësi nuk administrohet siç duhet, megjithëse ka një masterplan të detajuar për trajtimin e mbetjeve në qytetin Durrësit. Nuk është marrë parasysh, e futën në disa kriza të njëpasnjëshme, kriza që ishin të incentivuara nga ana e qeverisë për ta çuar në këtë pikë që Durrësi të dërgojë të gjithë pjesën e mbetjeve landfillin e Tiranës.
Një nga problematikat e mëdha që Durrësi ka, është që mbetjet urbane, pra mbetjet e ngurta nga ana e bashkisë nuk jepet asnjë lloj shërbimi. Qytetarët, firmat e ndërtimit që kanë mbetje të ngurta janë të detyruara të shkojnë tek firmat private pasi bashkia e Durrësit nuk e ofron fare këtë shërbim.



