
Një ngjarje e ndodhur në janar të vitit të kaluar është zbardhur vetëm ditët e fundit. Vdekja e shtetases V.V., në Fier, është cilësuar si natyrale, por hetimet e policisë së Fierit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuluan se bëhej fjalë për një krim në familje.
Policia dhe hetuesit kanë arritur të sigurojnë provat për vrasjen dhe kanë arrestuar autorin e dyshuar, Namik Velaj, 75 vjeç, banues në Patos, bashkëshorti i viktimës.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 23.02.2018, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në Burg” për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Gjithashtu është marrë masa e heqjes së të drejtës së ushtrimit të profesionit për mjekun e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, I.T. si edhe ka filluar procedimi penal për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” dhe është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” në Policinë Gjyqësore.



